Tragjedia në familjen Gjoka, pas dy vajzave vdes edhe nëna

Thellohet tragjedia për familjen Gjoka në Lezhë pas shpërthimit të bombolës në hotelin e tyre në Velipojë. Sipas Report TV, ditën e sotme ka ndërruar jetë në Itali si pasojë e plagëve të marra kryefamiljarja Alketa Gjoka, e cila pavarësisht kujdesit të mjekëve prej muajsh, nuk mundi të mbijetonte.

Alketa është viktima e tretë në familjen Gjoka, ndërsa më përpara kanë humbur jetën edhe dy vajzat e saj, Daniela 19 vjeçe dhe Klarisa 15 vjeçe. Nga shpërthimi, i vetmi i mbijetuar, i cili po ashtu ndodhet në spital në Itali, është djali 12 vjeçar, gjendja shëndetësore e të cilit është përmirësuar.

Kujtojmë se ngjarja e rëndë u regjistrua mëngjesin e 4 korrikut në hotelin e familjes Gjoka në Velipojë, ku mbetën të plagosur Klarisa Gjika 15 vjeç, Danjela Gjoka 19 vjeç, Enriko Gjoka  12 vjeç dhe Alketa Gjoka 40 vjeç, por fatkeqësisht tre gratë e familjes nuk mundën të mbijetonin.

Për ngjarjen policia arrestuoi Petrit Mollajn, tregtar gazi, sepse dyshohet se ai i shiti gazin familjes Gjoka në Velipojë. Mollaj, 46-vjeç, banues në Shkodër, tregtonte gaz në kundërshtim me ligjin.