Demir Limaj demanton lajmin për shkarkim nga Telekomi

Pas raportimi të medieve se Demir Limaj drejtor i Departamentit të Shitjes në Telekomin e Kosovës është shkarkuar nga kjo pozitë, nga Kryeshefi i Telekomit Bedri Istrefi, një gjë të tillë Limaj e ka demantuar duk e quajtura atë spekulim.

Ai për “Zërin”, ka sqaruar se nga ky departament janë shkarkuar vetëm disa menaxherë dhe punëtorë por jo edhe ai. Sipas tij vendimi për shkarkimin e këtyre menaxherëve është marrë në bashkëpunim ne kryeshefin Istrefi.

“Lajmi nuk është i vërtetë. Z. Istrefi në bashkëpunim me mua sot ka marrë vendim për shkarkimin e disa menaxherëve dhe punëtoreve në këtë departament. Por lajmi për shkarkim është vetëm spekulim i medieve dhe asgjë më shumë”, ka thënë ai.

Në anën tjetër ai sqaroi se është në pritje të përgjigjes nga Agjencia Anti Korrupsion, e ku ai ka dërguar një kërkesë lidhur me punën që ai bën në dy institucione: Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti” dhe në Telekomin e Kosovës.

“Ju e dini që tani unë në Agjencinë Anti Korrupsion jam në procedurë të vërtetimit nëse puna ime në Universitetin e Prizrenit dhe ajo e drejtorit të Departamentit të Shitjes është në konflikt interesi. Tani jam në pritje, në rast që del se puna ime në këto dy institucione është konflikt interesi unë vet do të jap dorëheqje”, ka thënë tutje Limaj.