Dënohet një veterane e rrejshme

Ky aktgjykim, është shpallur pasi që ajo ka pranuar fajësinë se kishte falsifikuar dokumentet për të përfituar nga skema pensionale për veteranët e UÇK-së, por që ka thënë se nuk kishte arritur që të merrte pensionin

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Ahmet Rexhaj, dënimi me burgim ndaj saj, nuk do të ekzekutohet nëse ajo nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale brenda dy vjetësh.

Ndaj saj, është shqiptuar edhe dënimi plotësues për publikimin e aktgjykimit dhe është ngarkuar që të paguajë paushallin gjyqësor në shumë prej 20 eurosh dhe taksën për kompensimin e viktimave të krimit, në shumë prej 30 euro.

Para leximit të aktakuzës, prokurorja Lumturije Vuçetaj, ka deklaruar se e bënë plotësimin e aktakuzës, duke shtuar se propozon që ndaj të akuzuarës të shqiptohet dënimi plotësues, përkatësisht që të bëhet publikimi i aktgjykimit.

“Publikimi i aktgjykimeve është në interes të shoqërisë dhe konsideroj që të njëjtat kanë efekt pozitiv dhe preventiv që si e pandehura ashtu edhe të tjerët mos të kryejnë vepra të kësaj natyre, e bazuar edhe në faktin që dosja e veteranëve konsiderohet si një prej çështjeve më të ndjeshme të shoqërisë tonë, andaj është më se e arsyeshme propozimi i shqiptimit të dënimit si më lartë”, ka thënë prokurorja Vuçetaj.

Pas leximit të aktakuzës, e akuzuara Elshani, ka thënë se pranon fajësinë, duke shtuar se është penduar për veprën e kryer.

“Unë kom dëgju që më takon kjo e drejtë për pension. Kom pas e nevojë se jom shumë nevojli, por edhe pse i kom siguru dokumentat fals, unë nuk kom përfitu asnjë të mirë materiale”, ka thënë e akuzuara.

Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokurorja Vuçetaj, e më pas e ka aprovuar edhe gjykatësi Rexhaj.

Sipas aktakuzës së ngritur më 3 qershor 2019, Rifadije Elshani akuzohet se me 6 prill 2018, e deri në kohë të pacaktuar, në Departamentin e Familjeve të Dëshmorëve, Invalidëve të Luftës dhe Viktimave Civile, zyra në Pejë, pranë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), ka tentuar ta vë në lajthim organin kompetent të lartcekur, që në dokumentin publik, ta vërtetojë një çështje të pavërtetë.

Në akuzë thuhet që e pandehura ka prezantuar dokumente të falsifikuara dhe atë certifikatën mbi statusin e veteranit luftëtar, se kinse ajo është Veterane Luftëtare e UÇK-së, me qëllim që të përfitojë pagën e statusit të veteranit të luftës.

Sipas këtyre veprimeve, ajo akuzohet se ka kryer veprën penale: “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”.