Deputetët e komuniteteve joserbe takojnë Kurtin, i kërkojnë dy ministri   

Deputetët e komuniteteve joserbe takojnë Kurtin, i kërkojnë dy ministri. 

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është takuar sot me disa deputetë të pakicave joserbe në qytetin e Prizrenit, të cilët i kanë kërkuar Kurtit t’i kenë dy ministri, prej tri sa janë ndarë për pakicat.

Ky takim u mbajt pas nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje në mes LVV dhe LDK, me qëllim që edhe partitë e pakicave të marrinë pjesë në qeveri dhe ta japin kontributin e tyre edhe në Kuvendin e Kosovës.

Në takim u diskutua për qeverinë e re, sfidat dhe mundësit e bashkëpunimit për shtet-ndërtim demokratik, ku u tha se tri ministri do t’i takojnë pakicave.

Mandatari për formimin e Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, tha se në bazë të obligimeve të Kushtetutës, tri ministri do t’i takojnë shumicës.

Kurti për KosovaPress tha se këto takime po mbahen me qëllim të grumbullimit të sa më shumë votave për qeverinë e nesërme.

Deputeti nga grupi parlamentar 6 plus, Fikrim Damka, tha për KosovaPress-in, se gjatë këtij takimi kanë parashtruar kërkesat e veta ku shpreson që deri nesër të realizohen.

Damka tha se si grup multi-etnik i 6 plusit, do të kenë më së paku ministri, gjithsej tri ministri. Përkundër kësaj, ai thotë se do të japin përkrahje dhe kontribut të madh në shtet-formim.

E deputeti nga grupi 6 plus, Rasim Demiri, i cili po ashtu ishte prezent në takim, tha se nga sot nuk është pjesë e gjashtë plusit, e që arsyet nuk deshti t’i bëj publike.

Demiri tha se në këtë takim i kanë dhënë kërkesat e tyre kryeministrit të ardhshëm dhe shpreson që ato kërkesa të realizohen.

Ndryshe, edhe në komunën e Prizrenit, komisioni i përgjithshëm zgjedhor i Lëvizjes Vetëvendosje, konform statutit të saj, ka nisur referendumin për marrëveshjen me LDK-në, për formimin e Qeverisë.