Departamenti i Shtetit: Të vazhdojë urgjentisht dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për dinarin

Departamenti i Shtetit beson se dialogu me mbështetjen e BE-së është kanali i duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se diskutimet për dinarin duhet të vazhdojnë sa më shpejt të jetë e mundur, tha zëvendës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel.

Në konferencën për shtyp të martën ai përshëndeti bisedimet ndërmjet delegacioneve të Beogradit dhe Prishtinës, të udhëhequra nga Petar Petkoviq dhe Besnik Bislimi, me të dërguarin special të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.

Patel përsëriti shqetësimin e Uashingtonit për rregulloren që kufizon importin dhe përdorimin e dinarit serb në Kosovë dhe përsëri i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të de-përshkallëzojnë tensionet.

Ai ka theksuar se qëndrimi i Amerikës është që bisedimet të vazhdojnë urgjentisht.