Deputeti Berisha e quan gjest racist e qyqarë veprimin e avokatit Gashi ndaj personit që kërkonte lëmoshë në Prishtinë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit egjiptian, Veton Berisha e ka quajtur të pa pranueshëm gjestin e avokatit Tomë Gashi, i cili të premten shqelmoi paratë e një lypsari në sheshin “Nënë Tereza”, në Prishtinë.

Berisha i ka quajtur qyqare, raciste dhe tepër të liga, veprimet e Gashit.

“Si deputet i Kuvendit të Kosovës, përfaqësues i një pjese të madhe të familjeve të varfra në Kosovë nga komuniteti Egjiptian i dënoj ashpër veprimet e avokatit të mirënjohur njëheritë aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje Tomë Gashit ndaj një lypsari në qendër të Prishtinës”, ka shkruar ai në Facebook.

Berisha ka pyetur Gashin nëse është e njerëzishme veprimi i tij ndaj lypsarit.

“Tani e pyes Gashin si profesionist i së drejtës me shumë përvojë a duhet të trajtohet kështu njeriu nga njeriu apo të tillët janë përgjegjësi e shtetit dhe jo individit”.

“Mos u anko tani në pushtetin Gashi tani pushteti jeni ju”, ka shkruar ai në fund.