Deputeti Humolli: VV gjeti gjuhë të përbashkët me Srpska’n, do ta shqyrtoj votën time pro-Qeverisë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli ka thënë se veteranët u anashkaluan pasi në mënyrë demonstrative e lëshoi sallën e Kuvendit kur kolegët e tij të grupit parlamentar e miratuan parimisht projektligjin që e përcakton pagën minimale, e në të cilin nuk u përfshinë veteranët e UÇK-së.

Humolli i tha Gazetës Express se LVV-ja gjeti mbështetje te Lista Serbe për këtë projektligj, ndërsa tha se kolegët e tij deputetë që votuan PRO, “nuk flasin me tru të tyrin”.

“Une kam thënë publikisht që jam kunder. Ligji i anashkalon veteranët e luftës”, tha Humolli.

“Sot Lëvizja Vetevendosje e ka bë Listën Serbe konstruktive dhe e ka kalu ligjin”, tha deputeti.

Ai tha se kishte folur me deputetët tjerë të LVV-së, nga të cilët më herët kishte pritur se do të kishin qëndrim të njëjtë me të në lidhje me këtë projektligj.

“Janë deputetë që nuk flasin me tru të tyrin. Nuk kam çka flas më me ta”, tha Humolli.

Deputeti që iu bashkua kryeministrit Albin Kurtit dhe partisë së tij në garën e fundit zgjedhore, tha se tani do ta shqyrtojë votën e tij pro-Qeverisë.

“Edhe këtë vit kam thënë që me votën time nuk e rrëzoj këtë qeveri, vetëm për tradhti kombëtare… Tani do ta shqyrtoj këtë. Unë do të marr vendim si rezultat i rrethanave”, tha ai.

“Nese e gjejnë gjuhën e përbashkët me Listën Serbe, nuk e gjejnë me mua”, tha deputeti Humolli.