Deputeti i LDK’së vjen me një propozim të ri për VV’në

Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Fatmir Rexhepi, i ka dhënë një propozim partisë së tij dhe Vetëvendosjes për pozitën e presidentit. Ai ka thënë se ky post duhet të zgjidhet.

Fatmir Rexhepi nga LDK ka dalë me një propozim për partinë e tij dhe VV’në, që të arrijnë marrëveshje për koalicion dhe që pozita e presidentit të zgjidhet me konsesus.

“Presidenti duhet të zgjidhet me konsensus. Duhet të ketë konsensus mes partive, pavarësisht kush kandidon.

Nëse pyetem unë, do të doja të ishte nga LDK’ja, por duhet të kemi konsensus. S’është hap i lehtë, por duhet edhe VV-ja të heqë dorë nga kërkesat, ato për emrin e mbiemrin, por edhe LDK’ja të vë konsensusin dhe garancat e miqve brenda kësaj marrëveshje se qeveria e ardhshme, ky koalicion, do të jetë afatgjatë”, ka thënë Rexhepi.

Tutje ai ka thënë se kjo çështje nuk duhet të jetë peng i marrëveshjes dhe se beson që udhëheqësia e partisë do t’i japë fund kësaj çështje.

“Presidentin e zgjedh parlamenti, por po flasim për marrëveshje politike edhe të qeverisë edhe të parlamentit. Duhet konsensus brenda marrëveshjes që presidentin e zgjedh me marrëveshje të plotë.

S’duhet të mbetemi peng i kësaj. Është luks i madh nëse mbetemi peng i një gjysme fjalie, sepse nëse bëjmë marrëveshje për qeveri, pse të mos i besojmë për presidentin kur t’i vijë koha. Edhe pak ka mbetur në këtë finale dhe besoj se udhëheqësia duhet t’i japë fund kësaj çështje”, ka thënë Rexhepi në KTV.

LDK dhe VV tash e disa javë janë duke negociuar për arritjen e një marrëveshje për formimin e koalicionit dhe krijimin e Qeverisë.

Mirëpo kjo marrëveshje ka ngecur si shkak i pozitës së Presidentit. Këtë pozitë po e do LDK, mirëpo VV nuk po dëshiron që ta japë.

Ndërkaq me datën 26 dhjetor, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vendosur që do të mbahet seanca konstituive e legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës. /gazetametro.net