Deputeti i LVV-së për vrasjen e Liridona Ademjat: Do të votoja për rikthimin e dënimit me vdekje

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, i cili është edhe anëtar i Komisionit për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes në Kuvend, ka thënë se do të votonte për rikthimin e dënimit me vdekje për këdo që vërtetohet që kryen vepra kaq të rënda kriminale, si vrasja e Liridona Ademajt.

Ai ka thënë se përveç familjes së ngushtë të së ndjerës e gjithë shoqëria dhe shteti përveçse të pikëlluar janë të tronditur thellë.

“Bazuar në legjislacionin në fuqi (me që dënimi kapital me vdekje është hequr) burgimi përjetshëm si zëvendësim pa dyshim do duhej të shqiptohet ndaj kriminelëve që kryen këtë krim. E di që në aspektin praktik e procedural (për shkak të përafrimit legjislativ me BE-në) rikthimi i dënimit me vdekje është mbase problematik, mirëpo unë si deputet, pa asnjë hamendje do votoja rikthimin e dënimit me vdekje për këdo që vërtetohet që kryen vepra kaq të rënda kriminale”, ka shkruar Dugolli në Facebook.

Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor në fshatin Bërnicë të Prishtinës, që fillimisht u raportua si “vrasje gjatë grabitjes”. Gjykata Themelore në Prishtinë, të dielën ua caktoi tre të dyshuarve masën e paraburgimit prej 1 muaji.

Të dyshuar në këtë rast janë Naim Murseli, bashkëshorti i Liridonës, i cili dyshohet se e ka organizuar vrasjen në atë mënyrë që ka kontaktuar të dyshuarin tjetër, Granit Plava, i dyshuar për kryerje të vrasjes. I arrestuari i tretë, Kastriot Kokalla, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, është i dyshuar për veprën penale, marrëveshje për të kryer veprën penale vrasje e rëndë.

Deri më tash, Prokuroria e Shtetit nuk ka dhënë asnjë detaj për rrethanat e të dyshuarve për kryerjen e këtij krimi.