Deputeti i PDK-së thotë se nuk do të kandidon më për deputet: Po i hapi rrugë gjeneratave të reja

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Xhelili ka njoftuar se ka vendosur të tërhiqet prej angazhimeve politike në Kuvendin e Kosovës duke thënë se ka ardhur koha për një gjeneratë të re politike, shkruan Fokusi.info.

Lajmin e ka konfirmuar vetë Xhelili përmes një shkrimi në Facebook.

“Unë kam vendosur përfundimisht të tërhiqem prej angazhimeve të mia në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Tani është koha, besoj, për t’i dhënë hapësirë shtesë një gjenerate të re politike, të përkushtuar për t’i shërbyer Kosovës me ndjenjën më të thellë të atdhedashurisë. Shpresoj shumë, sinqerisht shumë, se kam përmbushur pritshmëritë duke qëndruar në lartësinë e besimit që më kanë dhënë qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.

Ai ka thënë tutje se do të vazhdojë të mbështes PDK-në.

“Ndërkohë, për shumë arsye historike e politike, unë do të vazhdoj mbështetjen politike për Partinë Demokratike të Kosovës. Përtej këtij përcaktimi partiak, uroj se Kuvendi i ardhshëm e deputetët e rinjë, do t’iu japin përparësi të padiskutueshme interesave shtetërore të Kosovës, sepse koha ecën shpejtë, pavarësisht faktit nëse ne vendnumërojmë ose bashkëhapërojmë me të. Në çdo rrethanë e përtej çdo partie, Kosova duhet të jetë jo vetëm e para, por edhe mbi të gjitha”, ka shkruar ai.