Gjendet një laborator droge në Shkabaj të Obiliqit, arrestohen dy të dyshuar

Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka zhvilluar një aksion në bashkëpunim me policinë, në fshatin Shkabaj të Obiliqit, në bodrumin e një shtëpie, ku ishte identifikuar një laborator për prodhimin e substancave narkotike.

Në njoftimin e Prokurorisë, thuhet se janë sekuestruar rreth 700 bimë narkotike të gjatësisë mbi 2 metra, të llojit kanabis.

“Në këtë çështje penale, prokurori i shtetit ka aplikuar masat e fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimit, me ç’ rast me aktvendim të njëjtit janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orëve. dy persona të dyshuar, për shkak të veprës penale “kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”, nga neni 272 lidhur me nenin 275 dhe 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

“Ndaj të dyshuarve, prokurori i shtetit do t’i ndërmerr veprimet e mëtejme procedurale,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë.