Deputeti i Vetëvendosjes i pakënaqur me punën e Qeverisë Kurti: Çdo problem do ta qes në publik

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli ka kritikuar Qeverinë e Albin Kurtit. Ai ka thënë se në Kosovë ka më shumë mundësi të punohet.

Humolli tha se në Kosovë ka mundësi të punohet më mirë, por këtë nuk e shohin ministrat e Qeverisë së Albin Kurtit.

Humolli tha në Kosovë ka nevojë për rritje të pagave në të gjithë sektorët.

“Ka nevojë me u rrit rroga e të gjithë sektorëve, dhe buxheti i Kosovës ka mundësi me i rritë veç duhet me i menaxhu më mirë.”, tha Humolli.

Ai ka kritikuar edhe ministrat e Qeverisë Kurti, për mospunë dhe se duhet të punojnë më shumë.

“Unë e shoh që në këtë vend ka mundësi m’u bë shumë më mirë, por ministrat nuk e shohin qysh e shoh unë, prandaj në këtë drejtim kemi me bë edhe debate brenda grupit parlamentar, edhe publikisht kam treguar që kam me qenë kritik që për me pa edhe opinioni që ka mundësi me u bë edhe më mirë. Tash ata kanë me shiku edhe më mirë, në qoftë se nuk e shikojnë unë kam me bë vërejtje edhe më të mëdha. Nuk ka asnjë sektor që nuk ka mundësi të bëhet mirë, në sektorin e punëve të brendshme, shëndetësi që edhe aty nuk ka nevojë që të na shkojnë pacientë jashtë. Më shumë kemi hapësirë për vende të lira të punës se sa kemi punëtorë. Sa resurset i kena që Gjermania as 50% si ka resurset që i ka Kosova. Mirëpo kemi nevojë që në vendet udhëheqëse me pas njerëz më të përgjegjshëm, ata që e kanë idenë paraprake se çka kanë me bë e jo ata që mësojnë në vend të punës.”, tha ai në një intervistë për Periskopin.

Humolli e ka kritikuar Qeverinë se vazhdimisht po ankohet për të kaluarën.

“Ka mundësi me investu. Janë disa problem të cilat janë të bartura. Unë po e shoh që vazhdimisht qeveria po ankohet në të kaluarën, por duhet me kuptu që një shtëpi nganjëherë më lehtë ndërtohet prej themeleve se sa me u meremetu.”, ka thënë ai.

Humolli është shprehur se do të vazhdojë të japë kritika për punën e qeverisë, shkruan Periskopi.

“Unë kam hy në listë për me qenë vetvetja, jo me kanë i dëgjueshmi i dikujt, këtë e di edhe Albin Kurti edhe Grupi Parlamentar i VV’së.”, tha ai.

Ai po ashtu ka kritikuar edhe opozitën kosovare duke thënë se më shumë po merren me ato çka ka thënë Kurti në të kaluarën, se sa të merren me atë çka ai ka premtuar.

“Tash problemin politik e qes jashtë në opinion, nuk e lë më brenda, i kam thënë edhe Grupit Parlamentar që një vit nuk ju bëj kritika jashtë, tash ky vit ka me qenë me kritika për jashtë që me i pa edhe opinioni që ka mundësi me u bë shumë ma mirë, por të njëjtën kohë edhe opozita me qenë shumë më korrekte. Edhe opozita më shumë merret se çka ka thënë para disa viteve se sa me u marrë me të se çka ka premtu për qytetarët.”, shtoi ai.