Baton Haxhiu: Albin Kurti e ndërtoi rrëfimin mashtrues për Asociacionin që nga viti 2013

Baton Haxhiu, gazetar, ka folur të mërkurën për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Teksa fliste për këtë temë, ai është kthyer në bazë, te marrëveshja e parë për Asociacionin 2013, e më pas ajo e vitit 2015.

Për marrëveshjen e vitit 2015 kishte një kundërshtim opozitar, që përbëhej nga Lëvizja Vetëvendosja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma Socialdemokrate.

Haxhiu thotë se në atë kohë, Albin Kurti, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj kanë qenë të dëmshëm për Kosovën.

”Aspekti i kontestimit e ka te ashpra e kontestimit që e ka bërë Albin Kurti, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj. Të tretë mund të themi kanë qenë më të dëmshmit të kohës e sidomos Vetëvendosja e Albin Kurtit, edhe Ramushi e Fatmiri kanë qenë iso e tij, që mbi dy parime dhe Demarkacionin dhe Asociacionin kanë ndërtu politika të refuzimit kundër kontratës që shqiptarët kanë pasur me bashkësinë ndërkombëtare”, ka thënë Haxhiu në “Pressing” të T7.

Sipas tij, Albin Kurti e ka ndërtuar rrëfimin e mashtrimit dhe tashmë ka rënë në të.

“Albin Kurti ka ndërtuar një rrëfim e mashtrimit dhe tash po ballafaqohet me rrëfimin e vet që është kontestimi i gjithçkaje që ka ndodhur me Ahtisarin, me pavarësinë dhe marrëveshjen e vitit 2013”, ka thënë ai.