Dëshmitari Ndreci thotë se Mustafën e pa dy herë në Barilevë

Dëshmitari i gjashtë i mbrojtjes, Bislim Ndreci, në seancën e së martës, në gjykimin ndaj Salih Mustafës, ka thënë se këtë të fundit e ka parë dy herë në fshatin Barilevë, ku një herë e kishte parë diku rreth mesit të prillit të vitit 1999.

Duke u përgjigjur në pyetje të mbrojtjes, dëshmitari Ndreci, ka deklaruar se Salih Mustafa ka kaluar nga fshati Vranidoll për të ardhur në Barilevë te lagja “Verbovci”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Avokati Betim Shala e pyeti nëse ky kishte qenë rasti i vetëm kur e kishte parë Salih Mustafën në Barilevë, kurse dëshmitari tha se ky ka qenë rasti i dytë.

“Rasti i parë ka qenë shumë herët, diku shkurt ose fillim marsi apo diku aty, por u kon borë. Rasti i dytë ka qenë diku mesi i prillit ose pjesa pak më larg se mesi. Me datë nuk mund ta caktoj saktë, sepse është kohë shumë e gjatë dhe nuk kemi shënim”, deklaroi dëshmitari.

Kurse, bëri të ditur se fjalë bëhet për mesin e prillit të vitit 1999.

“Duke e përshkru 12 prillin dhe kujtuar 22 prillin, aty diku ka qenë mesi i asaj periudhe sepse pas 22 prillit nuk kemi qenë as ne aty dhe nuk kemi pas mundësi më për kontakte sepse na u ka vështirësu puna nga forcat e ushtrisë serbe dhe na u ka mbyll ai korridor”, tha ai.

Tutje, avokati Shala tha se në pyetjen e avokatit se pse iu desh Salih Mustafës të shkonte në Zllash, dëshmitari ka dhënë përgjigjen “dikush e thirri atë në telefon, me telefon satelitor, se në atë zonë kishte numër të madh të plagosurish kështu që ai u largua për atje me nguti”.

Ndërkaq, dëshmitari tha se i kujtohet kjo deklaratë dhe se kështu ka ndodh atë ditë, kur kishte qenë me Jusuf Shallakun e Salih Mustafën.

“I thashë pse Jusuf po shkoni kaq shpejt, tha se e thirrën Salihin se ka shumë të plagosur, thash po vi me juve, tha jo se po mesim keq, thash po kom qejf me dëshirën e madhe me shku me ta dhe vozitë atë automjet, kom shku me ni fshat diku të Gollakut këta kanë vazhdu tutje, jam kthy me traktor me tjerë ushtar prapë për Barilevë”, rrëfeu dëshmitari.

Avokati Shala e pyeti se a e di apo a ka dëgjuar që Salih Mustafa ka qenë edhe ndonjëherë tjetër në fshatin Barilevë në periudhën kohore nga 24 marsi 1999 deri në ditën kur për herë të fundit e ka takuar në prill të vitit 1999.

“Me siguri se ka kalu, po për me ditë unë se ka kalu atëherë kur jam taku me Jusufin u kon ma e lehtë me kuptu nëse o kon ky ose nuk u kon sepse Jusufi ka qenë ai që na ka orientu dhe na ka mbajtë aty dhe për atë tani është nëse ka ardhë vetëm herat e tjera ka mundësi që nuk e kam taku. Nuk o kon e thane dhe domosdoshme për t’i taku të gjithë”, tha Ndreci.

Sipas tij, pasi ka mbaruar lufta e kishin kuptuar për njësinë guerile.

Kurse, i pyetur se në kohën kur e kanë takuar Salih Mustafën, a e ka ditur se çfarë pozite ka pasur i njëjti.

“E kemi ditë se ka qenë Jusuf Shalaku përgjegjësi jonë, e ky ka qenë përgjegjësi i Jusuf Shalakut”, u përgjigj dëshmitari.

Ndërkaq, i pyetur se e kanë ditur se është një nga përgjegjësit e guerilës, por se a ka qenë i komplet guerilës apo njësie tjetër apo ka qenë së bashku me Jusufin, dëshmitari tha se nuk e di.

“A ju kujtohet pas luftës me çfarë aktiviteti jeni marrë, për periudhën qershor 1999 deri qershor të vitit 2000”, ka pyetur avokati Shala.

Ndreci tha se ka punuar në fabrikën e amortizatorëve, në atë fabrikë, ku ka punuar më herët deri në të ’90-at dhe pas përfundimit të luftës, 15-16 apo 20 qershor janë kthyer në të njëjtën fabrikë, ku nuk ka pasur punë shumë, por janë kthyer për të rikuperuar vendin e punës, por edhe fabrikën.

Ndërkaq, tha se gjatë vitit 1999 nuk ka punuar edhe në polici.

Avokati e pyeti se kur e kishte takuar Mustafën në fshatin Barilevë dhe se a iu kujtohet në çfarë forme ka ardhë aty.

“Për herën e parë nuk e di si ka ardhë, herën e dytë ka ardhë me atë “Golf” së bashku me Jusufin dhe për atë e maj mend pak më shumë se më ra rasti me vozitë vet dhe ish nifar ndjenje asi, që nuk kisha vozitë vet makinë të atillë”, tha dëshmitari.

Pasi mbrojtja përfundoi marrjen në pyetje, u vazhdua me një pauzë dreke, ku më pas dëshmitari do të intervistohet nga ana e prokurorisë.