Dëshmitari serb që po dëshmon në Hagë, i kishte quajtur “terroristë” ushtarët e UÇK-së

Dëshmitari i 39-të në rastin e krerëve të UÇK-së, Dejan Jevtiq, është ballafaquar me disa dëshmi të tij të dhëna për Prokurorinë.

Jevtiq ushtarët e UÇK-së i kishte quajtur “terroristë”.

Këto pyetje atij ia ka drejtuar avokati i Thaçit, Kehoe.

Nacionale sjell përgjigjet e tij pa ndërhyrje:

Kehoe: Flasim për ngjarjet e 3 korrikut. Ju kishit dalur me xhaxhain tuaj në fshat dhe ndërkohë po ndodhnin luftime mes forcave serbe dhe UÇK-së?

Dëshmitari: Jo nuk po shëtisnim, unë dhe ai më 3 korrik po kujdeseshim për lopët jo larg nga fshati. Pasdite pati një sulm mes patrulle serbe dhe trupave të UÇK-së. Ne ishim jashtë fshatit.

Kehoe: Kur thoni luftime, dëgjuat automatik, dëgjuat mitraloz?

Dëshmitari: Po, dëgjuam disa shpërthime që ishin të forta.

Kehoe: Ju patë këta anëtarë të UÇK-së, dhe i përshkruani si terroristë?

Dëshmitari: Jo tamam terroristë, varet çka është për ju terrorizmi.

Kehoe: Ju u përgjigjët se “terroristët siç duhet t’i quajë”.

Dëshmitari: Mbase e kam thënë pa dashje, jo se doja t’i ofendoja. Mbase e kam thënë pa dashje fjalën terroristë.

Kehoe: Në dëshminë tënde thua “ne vazhduam para se të hynim në Muvlan, dhe aty pamë një grup terroristësh që patën uniforma të zeza. Aty ishin nja 12 a 13 terroristë”. Pra, zotëri në mënyrë të vazhdueshme UÇK-në e keni përshkruar si terrosite?

Dëshmitari: Mbase mund ta kem thënë, por pa dashje. Nuk kam dashur të ofendojë askënd.