Dështimi gjashtë vjeçar i Shpend Ahmetit me parkingje

Njëri nga problemet më të mëdha të kryeqytetit është komunikacioni i ngarkuar dhe mungesa e parkingjeve.

Mungesa e tyre jo vetëm që po shkakton kaos në komunikacion, por kjo po ua pamundëson edhe lëvizjen e lirë këmbësorëve.

Kryetari aktual i Prishtinës, Shpend Ahmeti, që nga marrja e mandatit të parë kishte premtuar rregullimin e parkingjeve, por deri më tani komuna nuk ka arritur që të sigurojë hapësira për këto parkingje.

Banorët e kryeqendrës por edhe ata të cilët vijnë në Prishtinë për të kryer punët e tyre ankohen se mungesa e parkingjeve u paraqet mjaft probleme. Ndërsa, opozita në Prishtinë ka akuzuar Shpend Ahmetin se nuk ka bërë asgjë për ta zgjidhur këtë çështje.

Javën e kaluar, kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti njoftoi se kanë nënshkruar kontratën për ndërtimin e parkingut nëntokësor me mbi 700 vendparkime te Fakultetit Filologjik.

Sipas Ahmetit, parkingu me një investim mbi 10 milionë euro do të fillojë ndërtimin së shpejti ndërsa punimet do të zgjasin 18-24 muaj.

Mirëpo, ndërtimin e këtij parkingu nuk po e shohin si zgjedhje afat shkurtër opozita në Prishtinë. Ata thonë së përveç që ky parking nuk e zgjidh problemin, ai madje as nuk pritet që të përfundohet në mandatin e Shpend Ahmetit.

Opozita ka akuzuar Shpend Ahmetin se nuk ka ndërtuar asnjë projekt të madh përgjatë mandatit të tij në krye të Prishtinës.

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, dikur bashkëpartiak me Shpend Ahmetin, Eman Rrahmani ka akuzua kreun e Prishtinës për ndërhyrje në ndërmarrjen “Prishtina Parking” përmes dy aksionarëve, ku edhe tha se për këtë shkak kjo ndërmarrje nuk është funksionalizuar.

Sipas tij, pa funksionalizimin e “Prishtina Parking” nuk mund të zgjidhet çështja e mungesës së parkingjeve.

“Problemi i parkingjeve në Prishtinë është një prej problemeve më të mëdhaja që kërkon zgjedhjen më të shpejt. Qysh në vitin 2018 ne patëm filluar me ndërmarrjen “Prishtina Parking” . Mirëpo që dy vite kjo ndërmarrje e cila kish me fuknsionalizu “Prishtina Parkingun” edhe kish me zgjedh problemin e shumë kohëshëm të Prishtinës, nuk është funksionalizu për shkak që kryetari përmes dy aksionarëve të tjerë që i kontrollon do të thosha ka tentuar edhe provuar shumë herë që ndërmarrja të kontrollohet prej tyre e që neve na është dashtë me ba ankimime përmes institucioneve për me i anulua ato emërime të cilat i kanë bërë”.

Ai ka thënë presin që shumë shpejt të shpallin konkursin për kryeshef të kësaj ndërmarrje dhe që të fillojnë me punën në këtë ndërmarrje.

“Pra “Prishtina Parking” është ajo që e zgjedh problemin e parkingjeve edhe shumë shpejt edhe shumë lehtë edhe krijojnë të hyra të jashtëzakonshme për komunën. Por, kjo ish deshtë që të kryhet qysh në vitin 2018 edhe atë për 4, 5 muaj për shkak që ka hapsira të cilat munden që të shfrytëzohen menjëherë për parkingje edhe me kriju të hyra edhe me zgjedh problemin e po ashtu edhe problemin e parkingjeve të banorëve janë sidomos neper lagje që nuk munden me i lanë makinat e tyre, për shkak se janë të zëna nga njerëz tjerë që vijnë”.

Sa i përket projektit te Fakulteti Filologjik, Rrahmani ka thënë se ky është premtuar që qysh në vitin 2018 të fillojë, sic thotë ai, kanë hapur tenderë edhe atëherë edhe i kanë anuluar. Derisa shtonë se beson që edhe ky ka me qenë veç një tender i nënshkruar për shaka se do të merr kohë dhe nuk do të përfundohet në mandatin e Shpend Ahmetit.

Edhe asamblisti i PDK-së, Leutrim Retkoceri thotë se projekti për ndërtimin e parkingut tek Fakulteti Filologjik nuk do të jap një zgjidhje të shpejtë.

Ai ka thënë se problemi i parkingjeve daton qysh moti dhe komuna deri më tani nuk ka arritur që të bëjë asgjë. Madje sipas tij, kjo qeverisje nuk ka arritur që të përfundojë asnjë projekt të madh.

“Edhe unë kamë dëgjuar për marrëveshjen që është nënshkruar, po nëse e këqyrë në planë afatgjatë se sa kanë më zgjatë punimet, kjo nuk ka më dhënë një zgjidhje të shpejtë sa i përket zgjidhjes së problemit të parkingjeve. E dyta arsyeja që ja kanë nisur kaq vonë edhe qa ju ka dal gjumi, unë mendoj që është refleksion i atij efurizimit populist që e ka pasur Shpend Ahmeti edhe në mandatin e parë edhe në të dytin. Se realisht nuk ka asnjë punë në Prishtinë asnjë projekt madhor që është zhvilluar në komunë të Prishtinës prej që është në krye Shpend Ahmeti. Mjafton që t’i shohësh buxhetet çka mbahet edhe çfarë projekte kapitale janë realizuar në Prishtinë, të tregon për performancën edhe se sa është e aftë kjo qeverisje që t’ju jap zgjedhje problemeve të Prishtinës”, ka thënë Retkoceri.

Sipas tij, e njëjta gjendje ka qenë edhe kur Ahmeti ishte në Vetëvendosje. Ai thotë se problemi është që komuna që nuk ka mbërri me kriju hapësira të reja të parkingjeve dhe pikërisht ky është problemi.

“Njëjtë ka qenë edhe në atë kohën kur Shpend Ahmeti ka qenë bashkë me Vetëvendosjen, asnjë projekt nuk është zhvilluar dhe njëjtë është edhe tash. Krejt projektet qa janë sill janë disa kifle, disa autobusë e ato kurrgjë nuk janë karshi ton këtyre nevojave që i kanë qytetarët e Prishtinës. Problemi është komuna që nuk ka mbërri me krijua hapësira të reja të parkingjeve dhe pikërisht ky është problemi, le më që kish me qenë zgjidhje për parkingjet, por kish me qenë edhe përfitim i mirë nga komuna që kish me inkasua mjete për me realizua një buxhet më të madh. fatkeqësia është këtu që edhe këtë buxhet që e ka komuna e Prishtinës për çdo vite i tepron, që është absurditet i llojit të vet”, ka thënë ai.

Ndërsa, banorët e kryeqendrës por edhe ata të cilët vijnë në Prishtinë për të kryer punët e tyre ankohen se mungesa e parkingjeve u paraqet mjaft probleme.

Ata thonë së shpesh janë të detyruar t’i parkojnë veturat në trotuare ose edhe në parkingje te banesave deri sa t’i kryejnë punët.

Besiana Sadiku e cila kishte ardhur nga Vushtrria për të rregulluar disa dokumente në Prishinë ka thënë se u detyrua për disa minuta që ta parkojë veturën afër një banese edhe pse nuk ishte e lejuar.

“Unë kisha pak punë këtu për disa dokumente, mirëpo e pata shumë problem për të gjetur parking, në një që shikova nuk kishte vend, edhe nuk kisha ku ta parkojë veturën dhe mu dashtë ta lë për disa minuta afër një banese edhe pse nuk kishte shumë hapësirë”, tha ajo për zërin.

Edhe qytetari tjetër, Albert Murati thotë se ai vjen çdo ditë në Prishtinë, pasi punon këtu dhe çdo herë përballet me problemin e njëjtë sepse nuk ka ku ta parkojë makinën.

“Unë çdo ditë përballem me këtë problem, pasi punojë këtu edhe çdo herë sillem disa minuta nëpër qetet derisa ta gjej një vend se ku ta parkojë veturën. Është shumë problem. Edhe kjo ndodh për vite me radhë edhe komuna nuk po bënë asgjë për këtë”.