Detaje nga rasti i rëndë në Gjilan: 51-vjeçari dyshohet se qëlloi veten me armë, pranë tij u gjeten dy pistoleta

Kryefamiljari i familjes Byqmeti nga qyteti i Gjilanit, Ragipi, sot kishte marrë rrugën për te Penda e fshatit Livoç. Ai u nis atje për të mos u kthyer më në shtëpi. Rreth orës 13:30, Ragipi u gjet pa shenja jete dhe sipas informacioneve të para, ai i ka dhënë fund jetës së tij, raporton Gazeta Sinjali.

Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot qytetin e Gjilanit dhe gjithë Kosovën. Lajmi i kobshëm për ndarjen nga jeta të 51-vjeçarit Ragip Byqmeti, ka pikëlluar të gjithë ata që e njohën.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë, kanë bërë me dije se i ndjeri u gjet pa shenja jete në një pushimore betoni te Penda e Livoçit në Gjilan. E pranë tij u gjetën edhe dy armë të zjarrit, ku me njërën prej tyre dyshohet se edhe kreu aktin final duke i dhënë fund jetës së tij.

Sinjali mëson nga burimet brenda Emergjencës se në mesditë kanë pranuar thirrje për ndihmë, për shkak se një person ndodhej pa ndjenja i shtrirë në tokë dhe dyshohej se ishte në rrezik për jetën.

Ekipi mjekësor i Emergjencës ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur në trupin e viktimës i cili ishte mbuluar në gjak nga plaga që dyshohet se ia kishte shkaktuar vetes duke shkrepur armën në kokë. E kjo plagë doli të jetë fatale për të, pasi pas ekzaminimeve për shenjat vitale, mjeku kujdestar ka konstatuar se viktima ka ndërruar jetë.

Në vendngjarje bashkë me ekipin mjekësor doli edhe njësitë policore, të cilët kanë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit. Në afërsi të trupit të pajetë të viktimës, janë gjetur dy armë zjarri të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale. Po ashtu u sekuestrua edhe gëzhoja që u gjet e që dyshohet të jetë armës që u përdor në rast.

Momentalisht nuk dihen ende shkaqet e as rrethanat që mund të kenë çuar viktimën drejt këtij vendimi.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i Byqmetit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa rasti është cilësuar ‘Vdekje e dyshimtë’.