Detaje për ngacmimin seksual të mësimdhënësit ndaj nxënëseve në Vushtrri

Një mësimdhënës nga Vushtrria është suspenduar nga puna pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht disa nxënëse.

Lajmin e ka konfirmuar edhe, kryetari i komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi.

“Është suspenduar me vendim të Komisionit Disiplinor, lëndën e ka në prokurori”,ka deklaruar Idrizi.

Ndërsa, Jeton Salihu nga komisioni disiplinor i Komunës së Vushtrrisë për Fokusi.info, ka dhënë detaje lidhur me rastin.

Ai ka thënë se suspendimi është bërë me heqje të 50% të pagës deri në përfundimin e procesit penal ndaj tij, si dhe tregoi që është ngritur aktakuzë.

”Sipas ligjit në fuqi ne e kemi suspenduar me 50 % të pagës deri në përfundimin e procesit penal ndaj tij. Ne kemi kërkuar nga Prokuroria e Mitrovicës se deri ku ka shkuar procesi ndaj këtij mësimdhënësi dhe ata nëpërmjet një shkrese na kanë njoftuar se kanë ngritur aktakuzë dhe ne menjëherë kemi marr masat e suspendimit sepse paraprakisht edhe kemi mbajtur seancat rreth këtij rasti”, tha ai.

Ai ka shtuar se mësimdhënësi edhe pas raportimit të këtij rasti ka qenë duke punuar sepse nuk ka pasur ndonjë masë nga prokuroria që mos të punojë.

“Po ka qenë duke punuar sepse ne nuk kemi mundur të reagojmë deri sa jemi njoftuar nga prokuroria se cilat veprime janë marrë dhe me të pranuar shkresën se është ngritur aktakuza kemi reaguar”, është shprehur tutje Salihu.