Devolli u intervistua nga komisioni parlamentar për kontratën me Telekomin

Blerim Devolli, pronar i Z-Mobile, ka përfunduar intervistimin para Komisionit Hetimor Parlamentar për hetim të Telekomit.

Ai ka thënë se për çdo dëmtim të Telekomit të Kosovës nga kontrata mes ndërmarrjes publike dhe kompanisë së tij, fajtor është vetëm Telekomi.

Devolli ka thënë se ka çuar Telekomin në Arbitrazh pasi “Telekomi ka shkelur kontratën”.

“Nuk ka respektuar marrëveshjen dhe jemi detyruar ta çojmë në Arbitrazh pas më shumë se 200 kërkesave e lutjeve për t’iu përmbajtur kontratës”, ka thënë ai, ndër të tjerash.

Kryetari i Komisionit, Visar Ymeri, e ka pyetur Devollin se sa ka investuar në fillim në kompaninë Z-Mobile.

“Investimet kanë qenë në fillim 7-8 milionë euro”, është përgjigjur Devollit.

Në pyetjen rreth kontratës se a kanë pasur qëllim që ta zgjerojnë tregun e Telekomit në përgjithësi, Devolli fillimisht ka thënë se nuk po e kupton pyetjen.

“Qëllimi jonë ka qenë që të marrim një pjesë që nuk ka qenë i mbuluar në treg”, është përgjigjur pastaj Devollo pas sqarimit.

Ka mohuar se ka pasur për qëllim që ta dëmtojë Telekomin dhe gjithashtu ka mohuar se në fillim ka punësuar punëtorë të Telekomit e Ipkos.

I pyetur rreth të hyrave në Z-Mobile, Devolli ka thënë se për 10 vjet fitimi është 5 milionë e 65 mijë euro neto, kurse të hyrat 60 milionë euro.

Në pyetjen e deputetit Zeka, rreth marrëveshjes me Telekomin, pasi që ka shkuar në Arbritrazh, Blerim Devolli ka thënë se marrëveshja është shkelur nga ndërmarrja publike.

Devolli është përgjigjur duke thënë se marrëveshja është shkelur nga Telekomi, pasi edhe nuk e ka ratifikuar atë. Ka mohuar se e ka dëmtuar Telekomin me çmimet më të ulëta, të ofruara në treg.

Deputeti Liburn Aliu e ka pyetur dëshmitarin rreth një analize me kontratën e Z-Mobile para arbitrazhit, e cila thotë se margjina për tipin e tillë të kontratës duhet të ishte 3-4%.

“Ju keni arritur të lidhni kontratë qe përfitoni rreth 70% të hyrave kurse Telekomi vetëm diku 30%. Si keni arritur t’i bindni për këtë kontratë, kënd e patet konkurrentë?”, ka pyetur Aliu.

Devolli është përgjigjur duke thënë se konkurrenca ka qenë e lirë.

“Termet e kontratës janë negociuar me grupet punuese. Në bazë te negociatave”, ka thënë ai.

Aliu ka insistuar se në bazë të kësaj po del se Telekomi e ka nënshkruar një kontratë jashtëzakonisht të dëmshme.

“Është gjykuar kjo kontratë deri tash”, është përgjigjur Devolli, duke refuzuar që të jep detaje më të hollësishme.

Ai ka mohuar çdo lidhje me fytyra politike lidhur me arritjen e kontratës me Telekomin.

Ai ka thënë se s’ka kurrfarë lidhje me presidentin Hashim Thaçi, e as deputetë e liderë të tjerë politikë. Ka thënë se nuk i njeh as zyrtarët që deputetja Albulena Haxhiu thoshte se janë ata që kishin bërë kontratën.

Devolli ka thënë se çdo ndërprerje e kontratës nga Telekomi dhe nëse mbesin mijëra punëtorë të Telekomit pa punë, janë në përgjegjësi menaxheriale të Telekomit.

I ka quajtur spekulative takimet e fshehta me Telekomin.