IPK arreston një polic për marrje ryshfeti, dyshohet se pranoi 1 mijë euro për të interferuar në një rast

Është arrestuar një polic nën dyshimin për “keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe “marrje të ryshfetit”.

Arrestimi i policit, i cili është në Stacionin Policor në Obiliq ka ndodh sot rreth orës 17:00, në Obiliq. Ai është kapur nga hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës.

“Hetuesit e IPK-së kishin filluar kohë më parë hetimet për këtë rast me autorizim dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë – Departamentin e Krimeve të Rënda”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Zyrtari policor, sipas IPK-së dyshohet se ka pranuar 1 mijë euro për të interferuar në hetimet e një rasti penal.

“Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”.

Me vendim të prokurori kompetent të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.