“Dhunë brutale me urdhër të Kurtit” – PSD reagon për aksionin, tregon emrat e të arrestuarve

Partia Socialdemokrate ka reaguar pas arrestimit të zyrtarëve të saj në aksionin tek ministria e Drejtësisë kundër taksës 5-euroshe të vendosur për regjistrim të automjeteve nga qeveria Kurti.

PSD në një komunikatë për media ka thënë se në këtë ndërhyrje të policisë ka edhe aktivistë të lënduar të PSD-së, përveç të arrestuarve, shkruan lajmi.net.

“Policia, nën urdhërat e Kurtit, me përdorim brutal të dhunës po dëshiron të shtyp këdo që kundërshton shefin e tyre. Zhvatja ndaj qytetarëve nuk guxon të kaloj heshtur e nën kërcënimin e dhunshëm e brutal të pushtetit”, thuhet tutje në reagim.

Siç bën të ditur kjo parti, në këtë aksion janë arrestuat tetë persona.

Reagimi i plotë:

Gjatë aksionit të sotëm për të shfaqur zhvatjen që pushteti i Kurtit po e bën ndaj qytetarëve, duke taksuar shtesë regjistrimin e makinës e duke krijuar monopol për një kompani, policia ndërhyri dhunshëm për ta ndërprerë aksionin duke arrestuar e lënduar brutalisht aktiviste e aktivistë të PSD-së.

Policia, nën urdhërat e Kurtit, me përdorim brutal të dhunës po dëshiron të shtyp këdo që kundërshton shefin e tyre. Zhvatja ndaj qytetarëve nuk guxon të kaloj heshtur e nën kërcënimin e dhunshëm e brutal të pushtetit.

Kërkojmë urgjentisht që aktivistet e aktivistët Dardan Molliqaj, Teutë Rrusta, Nol Nushi, Zgjim Hyseni, Qëndrim Sahiti, Frashër Krasniqi, Ali Krasniqi dhe Korab Korça të lirohen menjëherë nga arrestimi i padrejtë.