Dhunë ndaj policisë, ndërtim pa leje e të dehur në timon, arrestohen tre persona

Policia e Sarandës ka vënë në pranga 3 persona të cilët akuzohen për vepra të ndryshme penale.

Njëri prej të arrestuarve është vetëm 16-vjeç, V.B banues në Sarandë. Ai është vënë në pranga për shkak se pas një konflikti banal me E.Ç ka dëmtuar edhe efektivin e policisë V.A i cili kishte ndërhyrë për t’i ndarës. Po kështu janë proceduar në gjendje të lirë shtetasit S.B dhe F.B (50 dhe 20 vjeç) për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

I arrestuari tjetër është B. B., 52 vjeç, banues në Delvinë. Arrestimi i tij u bë pasi u kap në rrugën e quajtur “Kthesat e Gajdarit” duke drejtuar automjetin Mercedes Benz në gjendje të dehur.

I arrestuari i tretë i policisë së Sarandës është L. Ç., 54 vjeç, banues në Lushnje. Arrestimi i tij u bë në plazhin e Himarës, pasi u kap duke ndërtuar një objekt pa lejen e organeve përkatës.