Dialog nën tensione, palët larg marrëveshjes

Dialogu me Serbinë vazhdon të përbëjë çështjen kryesore në politikën e jashtme, pavarësisht insistimit të kryeministrit se e ka vetëm prioritet të katërt

Negociatat e rinisura në Bruksel mes Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Vuçiq, nuk prodhuan asnjë rezultat. U nënshkrua vetëm një dokument, përmes të cilit u zhbllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare në Jarinjë e Bërnjak. Pati rikthim të ideve për ndryshim kufijsh e insistim të palës serbe për themelimin e Asociacionit, që vazhdon të jetë nyja kryesore rreth dialogut

Tensionet në veri, tonet kërcënuese e deklaratat që mohojnë krimet e luftës eklipsuan dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Vendosja e reciprocitetit në targa ia ndërroi rrjedhën dialogut të Brukselit që rinisi në fillimvit me qeveri të re, por me tema të ricikluara.

Mjetet e rënda ushtarake që mund të shiheshin nga ana e Kosovës i aktivizoi Serbia përreth kufirit, derisa protestues serbë me trupat e tyre dhe mjete të rënda bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare në Jarinjë e Bërnjak.

Serbia dramatizoi edhe me luftë nëse ndërkombëtarët nuk ndërhyjnë në zgjidhjen e çështjes së targave.

Situata provokoi një ekspres marrëveshje për targat, e cila i dha fund bllokadës disaditore në veri. Në sinkron me tërheqjen e barrikaduesve, Qeveria pranoi t’i tërheqë njësitë speciale nga veriu për t’u lënë vend pjesëtarëve të KFOR-it.

Ishte edhe dokumenti i vetëm që u nënshkrua në Bruksel gjatë 2021-s, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.

Qëndrimet e betonuara të palëve rreth agjendës dhe modaliteteve të marrëveshjes finale zbehën optimizmin për arritjen e një marrëveshjeje të shpejtë.

Dialogu me Serbinë vazhdon të përbëjë çështjen kryesore në politikën e jashtme, pavarësisht insistimit të kryeministrit se e ka vetëm prioritet të katërt.

Kurti iu përgjigj pozitivisht Bashkimit Evropian për t’u ulur në tryezën e negociatave, por atyre nuk iu parapriu zotimi për dialog me serbët e Kosovës e hartim të një platforme.

Mungoi edhe një rivlerësim i marrëveshjeve nga dialogu i mëhershëm, megjithëse shefi i Qeverisë u ankua se po ia marrin shumicën e kohës. Mes tjerash, përmendi Marrëveshjen për Asociacionin, Marrëveshjen për Fusnotën, marrëveshjet për gjykatat e Universitetin paralel në Veri të Mitrovicës.

“Pjesa më e madhe e punës dhe energjisë sime në dialog është në zhbërjen e dëmit që keni shkaktuar ju. Marrëveshjen për Asociacionin, Marrëveshja për Fusnotën, marrëveshjet për gjykatat e Universitetin paralel në Veri të Mitrovicës, hapjen e çështjes së statusit, krijimin e diskursit për shkëmbime territoriale e marrëveshje të tjera të dëmshme ju na i latë trashëgim”, kishte deklaruar Kurti në seancën e 19 majit në Kuvend.

Por Qeveria nuk ka asnjë nismë për shfuqizimin e marrëveshjeve të përmendura nga Kurti.

As në programin qeverisës nuk përmendet zhbërja e marrëveshjeve, por vetëm thuhet se ato do të trajtohen për të parë shkallën e përmbushjes dhe ndikimin e tyre.