“Dikush i mori në telefon, hipën në makinë”, detaje të reja nga vrasja e dy vëllezërve nga Pogradeci

Zbulohen detaje të reja nga vrasja e dy vëllezërve nga Pogradeci Andrea dhe Martin Olldashi.

Siç raporton gazetarja e Ora News nga ky qark, 13 persona janë shoqëruar pak më parë nga policia për tu marrë në pyetje në ambjentet e Policisë Korçë.

Bëhet fjalë për rrethin shoqëror të dy viktimave, të cilët mund të kenë patur njohuri për ngjarjen.

Mësohet gjithashtu se është gjetur edhe një telefon, i cili mendohet se i përket njërit prej viktimave.

Nga informacionet paraprake, vëllezërit janë telefonuar nga një person, kanë dalë jashtë banesës dhe kanë hipur në një makinë.

Që prej atij momenti familja nuk ka patur asnjë informacion për dy djemtë e saj.

Vëllezërit Olldashi u gjetën të vdekur ditën e djeshme pranë fshatit Zvirinë.

Deri tani nuk ka asnjë të dyshuar apo të ndaluar për ngjarjen. /oranews