Dilema nëse Gjykata Kushtetuese i trajton shkeljet në seancën e “grushteve”

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimet e marra në seancën plenare kur në Kuvendin e Kosovës pati përleshje fizike, duke pretenduar për shkeljet e kryeparlamentarit Glauk Konjufca. Por, njohësit e çështjeve të drejtësisë, kanë dyshime nëse bëhet fjalë për shkelje të Kushtetutës në këtë rast.

Përveç grushteve, seanca e 13 korrikut rezultoi edhe me një sërë ligjesh të miratuara në lexim të dytë. Por, ligjshmërinë e seancës e ka kontestuar Partia Demokratike e Kosovës, rrjedhimisht duke kërkuar edhe anulimin e vendimeve të dala nga ajo.

Nga partia opozitare thonë se ka pasur shkelje të Kushtetutës nga kryetari i Kuvendit, sikur edhe të Rregullores së këtij institucioni.

Përderisa pajtohet se shkelje të Rregullores ka pasur, Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka dilema për pjesën e dytë.

“Çështjet të cilat janë pjesë e rregullores për të cilat shkelje i kemi identifikuar ne, kanë të bëjnë me shkelje të rregullores së Kuvendit që nuk minimizohet rëndësia e tyre. Mirëpo në vetvete nuk paraqesin çështje kushtetuese dhe për këtë arsye edhe duke u bazuar në praktikën e Gjykatës Kushtetuese, kjo gjykatë nuk i trajton si të ndara çështjet e punës, nëse nuk ndërlidhën me një çështje kushtetuese”, ka thënë Shala.

Sipas Shalës iniciuesi, në këtë rast Grupi Parlamentar i PDK-së, duhet t’ia argumentojw gjykatës se aty ka pasur shkelje kushtetuese.

“Për ta futur në merita të rastit, PDK duhet ta dëshmojw në Gjykatën Kushtetuese, sepse në rastin konkret nuk kemi të bëjmw vetëm me nene të rregullores së Kuvendit, mirëpo kemi të bëjmë me çështje kushtetuese, në të cilat mund të hyjë dhe ta trajtoj rastin edhe Gjykata Kushtetuese”, ka shtuar Shala.

Megjithatë, pretendimet e tyre të ngritura para kushtetueses për vlerësim, i argumenton avokati i Partisë Demokratike të Kosovës, Faton Fetahu, që insiston se ka edhe shkelje kushtetuese.

“Fakti që neni 76 i Kushtetutës së Kosovës e përcakton rregulloren e Kuvendit si një akt i nivelit kushtetues, madje është akti nënligjor i vetëm që e përcakton Kushtetuta dhe si e tillë duke e trajtuar në nivel të kategorisë kushtetuese, Kushtetuta i ka dhënë rëndësi të posaçme kësaj rregulloreje dhe mundësisë që e njëjta që interpretohet sa herë që mund të jetë objekt i parashtrimeve që bëhen nga palët e autorizuara në Gjykatën Kushtetuese. Dhe duke u shkelur kjo rregullore, pra duke u shkelë një normë kushtetuese dhe në këtë mënyrë besojmë që gjykata do ta pranojw për vlerësim në mënyrë të pranushmërisë”, ka thënë Fetahu.

Sipas PDK-së, Kryetari i Kuvendit, ka bërë shkelje kushtetuese në dy drejtime, në mospërmbushjen e afatit për thirrjen dhe caktimin e seancës plenare dhe, duke mos e vendosur për miratim rendin e ditës të asaj seance. /Dukagjini/