Disa zona do mbeten nesër pa ujë – shkak ndërhyrja ilegale në rrjet

Për shkak të ndërhyrjes ilegale/ të paautorizuar të qytetarëve të papërgjegjshëm në valvolën kryesore në Hajvali të Komunës së Prishtinës, pjesa dërmuese e banorëve të këtij fshati ka mbetur pa furnizim me ujë të pijshëm.

KRU Prishtina njofton se ndërhyrjet e paautorizuara në sistemin e rrjetit të ujësjellësit janë të papranueshme dhe dëmtojnë konsumatorët në afërsi të ndërhyrjes e më gjerë dhe si shkak ata janë pa ujë.

“Deri ditën e nesërme, sanimi nuk mund të realizohet ngase ata kanë dëmtuar trupin e valvolës. Nesër, ekipet e mirëmbajtjes dhe operimit do të merren me atë sanim, me ç’rast konsumatorët e zonës më të madhe të Hajvalisë deri në sanimin përfundimtar do të jenë pa ujë të pijshëm, pra deri ditën e nesërme” thuhet në njoftim.

“Për shkak të këtij defekti nga persona të paautorizuar, gjatë ditës së nesërme, 22 qershor, e hënë, duke filluar nga ora 10:00 – 14:00 ,furnizimi me ujë të pijshëm do të ndërprehet përkohësisht në Graçanicë, Hajvali, Veternik dhe Zona Qendër e Bregut të Diellit, Lagja e Spitalit dhe Mati 1. Intervenimi nga ana e ekipeve të mirëmbajtjes dhe operimit duhet të realizohet në gypin magjistral Badoc-Prishtinë dhe krejtë për shkak të dëmtimit të valvolës në Hajvali, nga persona të papërgjegjshëm”. /Fokusi.info/