Doktori që ka kryer mbi 500 operime gjatë luftës

Agim Hazrolli, kirurg me profesion, i shkolluar në Lublanë të Sllovenisë u kthye në Kosovë në kohën kur filloi lufta.

Agimi bashkë me stafin e tij, të cilin e mblodhi nga disa zona të Kosovës, improvizoi një spital në zona të luftimeve në anën e Malishevës e Drenicës dhe kreu mbi 500 operacione në mal.

“Erdha nga Sllovenia dhe takova në Likovc dr. Shpetim Robajn që ishte motori i mjekësisë. Po i them atij: “Më dërgo në spital”. Ai më tha: “Në spital jemi”. Aty ishte një odë si e gjithë shqiptarëve dhe aty ishte spitali”, rrëfen mjeku në emisionin Kosovë Show.

“Për rreth 13 muaj aktivitet unë kamë bërë rreth 500 ndërhyrje operative ose operacione. Ato kanë qenë ndërhyrje të lehta apo më të rënda, por më rëndësi ishin ndërhyrje”.

Ai thotë se kanë udhëtuar nga një vend në një tjetër me rreth 100 pacientë të palëvizshëm për të mos u zënë nga forcat serbe.

Hazrolli këputi-amputoi edhe gjymtyrë të ushtarëve të UÇK-së të cilit ishin plagosur në zona të luftimeve, shpesh herë ai këtë punë e bëri edhe pa narkozë.

“Më erdhi një ushtarë i plagosur në Pagarushë. Aty kishim kushte më të mira. E pamë se plumbi kishte depërtuar në këmbë por nuk kishte dalë. Pasi bëjmë një grafi, pasi aty kishim edhe grafi, e pamë se plumbi kishte mbetur në këmbë. Arritëm të ja nxjerrim plumbin dhe ushtari u stabilizua dhe nuk kishte më temperaturë. Për intervenim më të thellë nuk kishte mundësi. Naimin (ushtarin e UÇK-së) e dërgojnë në Divjakë pasi këmba kishte filluar t’i kalbet”.

“Më thirrën mua dhe e pashë se Naimi kishte humbur shumë peshë. Takimi ishte emocionues. Më tha: “Doktor jam në dorën tënde, më bëj çfarë të duash”. Narkozë nuk kishim në atë kohë. Instrumentet i sterilizoja në furrë të druve. Për rreth 10 minuta me një sharrë, ia amputova këmbën Naimit i cili po ashtu ishte i përgatitur psiqikisht për një gjë të tillë”, tregon tutje mjeku.