DOKUMENT| Në dekretin e Thaçit nuk precizohet vendi i ambasadës në Jerusalem

Dekretimi i vendimit të qeverisë së Kosovës për hapjen e ambasadës së Kosovës në Izrael duhej të bëhej nga presidenti i Kosovës. E presidente është Vjosa Osmani, në koalicion me Albin Kurtin që qëndrimin aktual për çështjen e ka ‘në shqyrtim’. Zyra e Osmanit pas raportimit të Periskopit bazuar në një status të aktivistit Lulzim Pecit ka dhënë informacione të vlefshme për publikun.

Zyra e u.d. presidentes Osmani për media ka thënë se dekreti për vendosjen e Ambasadës së Kosovës në Izrael ishte nënshkruar nga ish presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Në dekretin e nënshkruar nga Thaçi, e të cilin e ka siguruar Periskopi, thuhet se megjithëse ai dekretonte hapjen e Ambasadës së Kosovës në Izrael, nuk përcaktonte Jerusalemin si lokacionin ku do të vendosej ajo.

Dekreti i presidentit/es kërkohet për hapjen e çdo ambasade të Kosovës.

Çështja nëse ambasada duhej të vendosej në Jerusalem apo Tel Aviv ka qenë më e nxehta në javët e fundit.

Kryeministri në ardhje, Albin Kurti, ka thënë se do ta shqyrtojë se ku do ta vendos Ambasadën – por, derisa ai po merrej me shqyrtimin në fjalë, të hënën më 14 mars, ajo u përurua nga diplomatja Ines Demiri.

Në dekretin në fjalë, shkruhet si vijon:

1.Themelohet misioni diplomatik i Republikës së Kosovës në Shtetin e Izraelit 2.Udhëzohet Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës që të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij Dekreti. 3.Dekreti hyn në fuqi në datën e nënshkrimit.