Rinumërimi i 530 vendvotimeve drejt fundit, kanë mbetur edhe rreth 60 pa u numëruar

Rinumërimit të 530 vendvotimeve në Qendrën për Numërim dhe Rezultate (QNR) po iu vjen fundi. Thuajse të gjitha kutitë e këtyre vendvotimeve tashmë kanë përfunduar.

Gjatë ditës së sotme pritet që të fillojë edhe procesi i numërimit të votave me kusht si dhe votat e personave me aftësi të kufizuara.

Sipas zyrtarëve të KQZ’së kanë mbetur edhe 61 vendvotime për tu numëruar dhe për t’u përmbyllur ky proces.

Valmir Elezi, zëdhënës në KQZ tha se sot gjatë ditës pritet të përfundojë ky proces.

“Janë rinumëruar votat e 469 vendvotimeve apo rreth 87% e 530 vendvotimeve të parapara për rinumërim. Pra, kanë mbetur edhe 61 vendvotime për t’u rinumëruar votat plotësisht”, ka thënë Elezi.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), pas përfundimit të rinumërimit të votave, pritet t’i hapet rrugë numërimit të votave me kusht dhe atyre të personave me aftësi të kufizuar.

E përmbyllja e procesit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë, që nënkupton shpalljen e rezultatit përfundimtar dhe certifikimin e tij, sipas zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mund të zgjasë afërsisht edhe dy javë të tjera.