Donika Gërvallës i ndalohet të hyjë në Serbi

Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, iu është refuzuar hyrja në territorin e Serbisë.

Vizita ishte e planifikuar të realizohej në Luginën e Preshevës, teksa shteti fqinj nuk ka mundësuar që të realizohej një e tillë.

Një gjë të tillë e kanë konfirmuar për lajmi.net nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

“Ne kemi kërkuar leje. Vizita ka dështuar për shkak të lojërave të pandershme të Beogradit. Vizitën do të përpiqemi megjithatë ta realizojmë në një datë tjetër”, deklarojnë nga MPJD.

Përgjatë ditës iu është ndaluar hyrja për në territorin e Kosovës drejtorit të së ashtuquajturës “Zyra për Kosovë” në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Petkoviq ka akuzuar institucionet e Kosovës se po shkelin marrëveshjen e vizitave zyrtare të arritur në Bruksel mes palës kosovare dhe asaj serbe.