Dorëhiqet komandanti i FSK-së?

Gjenerallejntnant Rrahman Rama ka dhënë dorëheqje nga posti i komandantit të Forcës së Sigurisë të Kosovës.

Albanian Post ka mësuar nga burime brenda FSK-së se gjenerallejtënant Rama e ka nënshkruar dorëheqjen mëngjesin e të martës.

Pas presioneve të vazhdueshme nga udhëheqja politike, që po përgatiste shkarkimin e tij, gjenerallejtënant Rama ka vendosur t’i jap fund para kohës qëndrimit në krye të ushtrisë së Kosovës.

Albanian Post ka raportuar javën e shkuar se po përgatitej shkarkimi i tij, për shkak të presionit politik mbi FSK-në nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Mospajtimet midis komandantit të FSK-së dhe ministrit të Mbrojtjes kanë arritur pikën kritike më 18 shtator, dy netë para aksionit të Policisë së Kosovës për të vendosur reciprocitetin për targat me Serbinë.

Mbrëmjen e 18 shtatorit, ministri Mehaj e ka urdhëruar komandën e Forcës së Sigurisë të Kosovës që FSK-ja t’i lyejë katër mjete të blinduara ushtarake M1117 ASV, pronë e FSK-së, me ngjyrë të kaltër, me arsyetimin se do të përdoreshin në mbështetje të aksionit të policisë në veri të vendit.

Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Rrahman Rama e ka refuzuar kategorikisht një kërkesë të tillë, pasi marrëveshja me Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kërkon qartësisht që FSK të jetë përdoruesja e fundit e çfarëdo pajisje ushtarake që ka marrë si ndihmë nga Departamenti i Mbrojtjes.

Edhe kërkesa që ministri Mehaj i dërgon Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, për t’ia lejuar përdorimin e atyre mjeteve të blinduara në operacionin policor merr përgjigje negative.

Pas këtij refuzimi, ministri Mehaj kërkon përdorimin e gjashtë mjeteve të blinduara Otocar Cobra, që Forcës së Sigurisë të Kosovës i janë dhënë si ndihmë nga Turqia dhe që kanë po të njëjtën dispozitë, sipas së cilës FSK-ja është përdorues i fundit i tyre.