Dorëzohen në polici tre të dyshuarit për vrasjen e 54-vjeçarit në Nekoc të Drenasit

Djali i Shaban Sylës, Leutrimi, është dorëzuar në polici gjatë ditës së djeshme bashkë me dy persona të tjerë (njëri i mitur) si të dyshuar për vrasjen që ndodhi më 22 gusht në fshatin Nekovc të Drenasit. Lajmi u bë i ditur për Express nga ana e Policisë së Kosovës.

“Fsh. Nekoc, Gllogoc 22.08.2020 – 18:24. Lidhur me rastin, më 26.08.2020 janë vetë dorëzuar tre të dyshuarit meshkuj kosovarë (njëri i mitur), të cilët edhe kanë dorëzuar armën e cila dyshohet të jetë përdorur në rast. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thotë Policia e Kosovës.

Në një deklaratë për Express, familja Syla ka kërkuar që e gjithë çështja t’u lihet organeve të drejtësisë.

“Kërkojmë që kjo çështje t’u lihet organeve të drejtësisë. Shprehim ngushëllimet më të sinqerta shpirtërore për familjen Demiri dhe ndjejmë dhimbjen bashkë me ta. Apelojmë, kërkojmë nga politika sidomos nga politikanët pa bosht kurrizor që të mos hedhin benzinë në familjet tona”, thuhet në letrën që familja Syla ia ka dërguar Expressit.

E të dielën prindi i Leutrimit të dyshuarit kryesor për këtë vrasje, Shabani, nga Burgu i Dubravës për Gazetën Express ka folur rreth konfliktit që ka ndodhur të shtunën në fshatin Nekoc të Drenasit e si pasojë një person ka mbetur i vrarë. I dyshuari kryesor për këtë rast po besohet të jetë djali i Shabanit, Leutrimi. Ky i fundit deri sot gjendej në arrati.

Por, garanci se të apostrofuarit e përfshirë në konflikt do t’i dorëzohen shpejt policisë po jep i dënuari për tentim vrasje në vitin 2012, Shaban Syla.

Ai nga burgu ka folur për Express rreth historisë së konfliktit me familjen Demiri të cilës dje dyshohet se iu vra një familjar. Ndërsa, familja Demiri, të cilës i mbeti i vrarë Qamil Demiri, rreth 50-vjeçar, nuk ka dashur të deklarohet për mediat.

“E gjithë ngjarja, sipas djemve tanë ka nisë që ia kanë zënë pritën, për ta nxjerrë hakun e para 8 vitesh. Nuk kemi lypë besë. Sot janë gjakrat e nxehta. Unë nesër u kam thanë njerëzve të shkojnë dhe të lypin besë. Me sinqeritetin më të plotë unë them se djemtë do të dorëzohen. I lus familjen Demiri, që të ndalen, të ulen gjakrat. Le ta thotë fjalën e saj drejtësia”, thotë i burgosuri Shaban Syla.