Dorëzohet në polici personi që dyshohet se vrau mbrëmë 15 vjeçarin dhe plagosi babain e tij në Drenas

I dyshuari për vrasjen që ndodhi mbrëmë në fshatin Gradicë të komunës së Drenasit është dorëzuar në stacionin policor.

Lajmi për dorëzimin e tij për lajmi.net e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Ahmeti bëri të ditur se i dyshuari është dorëzuar sot rreth orës 08:30, teksa shtoi se nga i dyshuari është sekuestruar një armë zjarri e cila dyshohet të jetë përdorur mbrëmë në rast.

““Sot rreth orës 08:30, është dorzuar në polici i dyshuari për vrasjen që ndodhi mbrëmë në fshatin Gradicë. Xh. B. (mashkull) 54 vjeç,shtetas i Republikës së Kosovës, të cilit poashtu i është sekuestruar një armë zjarri që dyshohet të jet përdorur në rast. Ndaj tij kanë filluar procedurat e nevojshme policore”deklaroi Ahmeti.

Përpos një personi që humbi jetë mbrëmë i plagosur mbeti edhe një tjetër. Në rast të përfshirë ishin një djalë 15 vjeçar dhe babai i cili mbeti i plagosur.

“Rreth orës 20:30 policia ka pranuar informatën për një vrasje në fshatin Gradicë të Drenasit. Menjëherë pas marrjes së informatës të gjitha njësitet e nevojshme policore kanë dalë në vendin e ngjarjes. Bazuar në të dhënat e deritanishme si dhe veprimeve të para hetimore policia ka ngritur versionin e hetimit se kemi të bëjmë me rast të vrasjes dhe plagosjes me armë zjarri, të ndodhur në një pyll në fshatin e sipërshënuar, u tha tutje nga policia.

Tutej u shtua se në këtë rast plagë nga arma e zjarrit morën dy persona.

“Njëri nga personat e plagosur nuk ka përballuar plagët dhe ka ndërruar jetë, vdekjen e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKMF Drenas,ndërsa i plagosuri i dytë, është dërguar për trajtim mjekësor. Aktualisht hetuesit policor në koordinim me prokurorinë po vazhdojnë punën hetimore për zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të kësaj ngjarje”, ka deklaruar mbrëmë Ahmeti.