Kurti: Shkuam në mbledhje të Këshillit të Sigurisë pa asnjë informacion nga KFOR-i

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur të pakuptimtë, mosreagimin e KFOR-it lidhur me kidnapimin e tre policëve nga forcat serbe.

Në një konferencë për media, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, Kurti ka thënë se “kjo mund edhe të jetë shkelje e Rezolutës 1244”, por kjo sipas tij do të duhej t’i adresohej komandantit të KFOR-it.

Megjithatë, ai theksoi se të gjitha faktet i posedon edhe KFOR-i.

“Të gjitha këto i ka edhe KFOR-i, ne me partnerët tanë i ndajmë informatat por heshtja e tyre besoj që nuk i kontribuon as de-eskalimit, as hetimit as drejtësisë. Nuk ka kuptim që për një ngjarje në territorin e Kosovë, as të nesërmen të mos kemi kurrfarë deklarate zyrtare”.

“Mund të jetë edhe shkelje e Rezolutës 1244, por është komandanti i përgjithshëm i KFOR-it i cili për çdo deklaratë e përmend këtë rezolutë, kjo pyetje duhet t’i bëhet atij meqë ai në deklaratat e KFOR-it e ka shpeshtuar përmendjen e Rezolutës 1244, ndërkaq ne e konsiderojmë Kushtetutën e vendit dhe ligjin në fuqi si e drejtë dhe përgjegjësi e jona”, shtoi ai.

Kurti ka njoftuar se mbrëmjen e së mërkurës ka zhvilluar bisedë me emisarin special amerikan, Gabriel Escobar dhe ambasadorin Jeff Hovenier.

“Mbrëmë kam pasur bisedë telefonike edhe emisarin special amerikan, Gabriel Escobar edhe me ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier, me të cilët kemi diskutuar situatën e sigurisë dhe unë u kam thënë që pres që KFOR-i të më sjellë informacion mua para mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, por asnjë informacion. Ne kemi shkuar në këtë mbledhje vetëm me informacion e Republikës sonë që janë qartazi të vërteta”, tha ai.