Dosja me pretendimet e prokurorisë kundër Kryeshefit të KEK-ut

Gjykata Themelore e Prishtinës ia ka caktuar një muaj paraburgim kryeshefit të KEK, Nagip Krasniqi.

Ai po dyshohet se ka kryer tri vepra penale: keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, ushtrimi i ndikimit si dhe konflikti i interesi.

Gazeta Insajderi ju sjell dosjen e plotë me pretendimet e prokurorisë kundrejt kreyshefit të KEK-ut:

Sipas prokurorisë dyshimet janë se i pandehuri në këtë rast Kryeshefi i KEK-ut është marrë kundërligjshëm me shit-blerje të rrymës me qëllim pasurimi.

“…ekzistojnë arsye të plota që nga veprimet e dyshuara të të pandehurit, buxhetit të Republikës së Kosovës i është shkaktuar dëm i madh material kur kihet parasysh fakti se kemi të bëjmë me shitjen dhe blerjen e rrymës, problematikë kjo veç e njohur për tatim paguesit e shtetit tonë. Në anën tjetër, qëllimi final te këto vepra penale është përfitimi i kundërligjshëm pasuror për vete apo personin tjetër dhe shkaktimi i dëmit personit tjetër duke vepruar në kuadër të detyrave zyrtare”, thuhet në dosjen e siguruar nga Insajderi.

Nagip Krasniqi po akuzohet se në mënyrë të kundërligjshme ka lidhur kontrata me disa operatorë ekonomik ndër ta Litwin SA.

Sipas prokurores së rastit, Kryeshefi i KEK-ut e dyshohet se nga viti 2022 e ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare.

Ndër keqpërdorimet e bëra përmendet rasti me operatorin ekonomik Litëin SA. Bëhet fjalë për një tender mbi 3.4 milionë euro me procedurë të negociuar.

Kontratë për të cilën Insajderi ka raportuar ekskluzivisht.

E për të cilën prokuroria thekson se për këtë tender nga komisioni vlerësuar ishte rekomanduar anulimi.

“…pas shqyrtimit dhe analizimit të shkresave lëndës, rrjedhë dyshimi i bazuar se i pandehuri prej vitit 2022, ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare në atë mënyrë që duke shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare, në cilësinë e krye shefit ekzekutiv të Kek-ut, me datën 26 janar 2023, ka lidhur kontratë të dëmshme në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik duke shkelur nenin 7, nenin 35 par.3, nenin 35 par. 2.1(iii), dhe nenin 57 par.2 të këtij ligji, ashtu që duke vepruar me tenderin KEK-23-130-5-1-5, i emërtuar si “Riparimi kapital emergjent i kalldasë blloku A5 “, me procedurë të negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë, ka lidhur kontratë me kompaninë Litëin SA, me çmim prej 3.495.392.42 euro, duke ndryshuar kushtet e veçanta të kontratës me qëllim të përshtatjes së këtij operatori ekonomik përkundër faktit që paraprakisht komisioni vlerësues i tenderit kishte rekomanduar anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit me arsyetimin se operatori ekonomik “Litëin Sa” nuk i është përmbajtur kushteve të autoritetit kontraktues i cili kishte kërkuar ndryshimin e kushteve të veçanta”, thuhet në dosjen që Insajderi ka siguruar.

Gjithmonë sipas prokurorisë, Kryeshefi kishte shtyrë varësit e tij të nënshkruajë kontrata në rastin konkret shefin e prokurorimit, ani pse ky i fundit e kishte njoftuar për rekomandimin e anulimit të kontratës.

“…për çka i pandehuri Nagip Krasniqi kishte urdhëruar me shkrim shefin e prokurimit Ymer Dragusha që të nënshkruante këtë kontratë e cila kontratë duke mos u ekzekutuar Korporatës i ka shkaktuar dëme dhe pasoja të drejtpërdrejta dhe të pariparueshme financiare në dëm të buxhetit të Republikës së Kosovës”.

“Ekziston dyshimi i bazuar se në periudhën kohore të përshkruar si më lart i pandehuri ka ushtruar ndikim me qëllim të përfitimit për vete apo personin tjetër, në atë mënyrë që ushtruesin e detyrës së shefit të prokurimit, Ymer Dragusha e ka urdhëruar me shkrim që ta nënshkruaj kontratën e përmendur më lartë përkundër faktit që shefi i prokurimit e kishte njoftuar se ky tender nga Komisioni i vlerësimit është rekomanduar që të anulohet me arsyetimet e përshkruara si më lartë, dhe Ymer Dragusha duke qenë nën presion i është bindur këtij urdhri”, thuhet tutje në dosje.

Sipas prokuroisë, Nagip Kransiqi në cilësinë e personit zyrtar ka marrë pjesë personalisht në çështje zyrtare të prokurimit në atë mënyrë që duke qenë në dijeni se operatori ekonomik ka interes financiar, pas nënshkrimit të kontratës me të me procedurë të negociuar.

Provat që janë përdorur janë foto-dokumentacione dhe prova tjera materiale.

Prokurorja ka bërë me dije se në këtë rast kanë një numër të madh dëshmitarësh shumica prej tyre vartës të Krasniqit.

Të gjitha këto pretendime janë hedhur poshtë nga mbrojtja e Krasniqit, Taulant Ferizi.

Mbrojtja ka deklaruar se “asnjëra nga kushtet për caktimin e masës së paraburgimit nuk janë plotësuar dhe kërkesa për caktimin e kësaj mase nga ana e prokurorisë është tërësisht e pa bazuar dhe nuk merr për bazë asnjë provë të vetme e cila do të dëshmonte plotësimin e kushteve në fjalë“.

Kryeshefi i KEK-ut, Nagip Kransiqi do të qëndrojë në paraburgim deri më 19 maj.