Morina: “Lista Serbe nuk i përfaqëson serbët, naivitet yni apo manipulim”

Veprimtari i çështjes kombëtare, Haki Morina ka komentuar situatën aktuale politike, shkruan Fokusi.info.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka folur rreth zhvillimeve në raport me “Listën Serbe”.

Statusi i plotë i z. Morina:

Pretendimi që Lista serbe nuk përfaqëson serbët e Kosovës, ose është naivitet i zakonshëm i yni, ose është një mashtrim i madh politik.

Pse është kështu?

Sepse të mendosh që Lista serbe përfaqëson vetëm interesat e Beogradit, i bjen që serbët e Kosovës na duan neve shqiparëve, por dikush nga jashtë po i mashtron e po i pengon.

Dhe të mendosh se serbët e Kosovës e duan shtetin e Kosovës, është si të mendosh që ujku është miku i deleve.

Mendim më iracional, më jorealist, nuk e di që mund të ketë.

Dhe tjetra çka më ka rënë në sy, është ajo që deklaron Kurti, që njëherë do të bëj dialog me serbët e Kosovës, e pastaj shohim e bëjmë.

Çka i bjen kjo?

Kjo i bjen që serbët e Kosovës, i besojnë më shumë një supernacionalisti, siç është Albin Kurti, e nuk i besojnë një bashkëpunëtori të Vuçiqit, siç është Hashim Thaçi.

Këtu ska asnjë gjë që ka lidhje me logjikë.