Driton Selmanaj zgjedhet kryetar i LDK-së në Prizren

Driton Selmanaj është zgjedhur kryetar i degës së LDK-së, në Prizren.

Lajmi është bërë i ditur, përmes një komunikate për media.

Komunikata e plotë:

Sot, Kuvendi Zgjedhor në Prizren, për kryetar dege ka zgjedhur, Driton Selmanajn.

Delegatëve të degës në fillimin e punimeve të këtij Kuvendi iu drejtua kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku i cili shprehu falënderimin dhe mirënjohjen për të gjithë veprimtarët e veprimtaret e LDK-së për angazhimin e deritanishëm duke uruar që ky angazhim do të rritet dhe më shumë në rrugëtimin e fitoreve të LDK-së jo vetëm në Prizren; fitore për të cilat ka nevojë jo vetëm LDK, por vetë Kosova.

“Zgjedhjet në Prizren, vijojnë si pjesë e riorganizimit të brendshëm tonë politik. LDK, po përmbyllë me sukses edhe një cikël zgjedhor, të nisur në 11 degët e saj. Së bashku me këto 11 degë, LDK ka përfunduar dhe procesin zgjedhor në Forum të Gruas e në Forum Rinor. Të dy proceset kanë ofruar pas 6 viteve struktura të reja, udhëheqje të freskuar e energji të re për sfidat përpara. Në të njëjtën kohë, ne kemi nisur procesin e regjistrimit të anëtarësisë sonë; dhe derisa flasim këtu sot, mbi 40 mijë anëtarë janë regjistruar në platformën tonë. Përtej regjistrimit, LDK është në përfundim të hartimit të programit të ri politik. Plot 29 ekipe me dhjetëra ekspertë në to, po ndërtojnë programin më gjithëpërfshirës që ka patur Kosova ndonjëherë. I njëjti do të jetë jo vetëm plaformë e opozitarizmit të sotëm, por dhe program garues në zgjedhjet e ardhshme e program qeverisës pas zgjedhjeve të ardhshme”, ka thënë ndër të tjera kryetari Abdixhiku.