Dua Lipa dhe Bebe Rexha sërish garojnë në të njëjtën kategori në MTV Awards 2019 (VIDEO)

MTV ka shpallur zyrtarisht nominimet për “MTV Video Music Awards 2019”.

Ariana Grande dhe Taylor Swift dominojnë me nga 10 nominime secila, në kategoritë e rëndësishme duke përfshirë “Videoja më e mirë e vitit, “Kënga më e mirë e vitit” dhe “Kënga më e mirë e zhanrit POP”.

Shfaqja e çmimeve është paraparë të mbahet të hënën e datës 26 gusht, në orën 20:00 (sipas orë lokale në ShBA).

“Ka qenë një vit i pabesueshëm në muzikë dhe ky grup i të nominuarve reflektojnë në mënyrë të përkryer peizazhin e pasur të muzikës pop”, tha në një deklaratë Bruce Gillmer, kreu i muzikës dhe talentit muzikor të Viacom dhe kreu i bashkë-markës MTV International.

Ky edicion i MTV VMA do të prezantohet nga komediani, aktori dhe autori më i shitur, Sebastian Maniscalco, dhe do të mbahet në Qendrën “Newark”, në New Jersey.

Eventet e ndryshme botërore nuk kanë se si bëhen pa shqiptarë, artistet Dua Lipa dhe Bebe Rexha edhe në MTV VMA 2019, kanë përfunduar të nominuara në të njëjtën kategori: “Kënga më e mirë elektronike”.

Bebe Rexha konkurron me dy këngë në këtë kategori: “Call You Mine” në bashkëpunim me The Chainsmokers si dhe “Say my name” në bashkëpunim me David Guettan dhe Jay Balvin.

Dua Lipa është e nominuar për këngën “Electricity” në bashkëpunim me Silk City, përkatësisht Mark Ronson edhe Diplo.