Duka zbulon kandidatët për trajner të kombëtares

Presidenti i Federatës së Futbollit të Shqipërisë, Armand Duka, i ka konfirmuar kandidatët e mundshëm për pozitën e trajnerit të ekipit kombëtar shqiptar, në mesin e të cilëve ka edhe shqiptarë.

Shqipëria është në kërkim të një trajneri të ri, pasi e shkarkoi Christian Panuccin para disa ditës pas humbjes kundër Turqisë në ndeshjen hapëse kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020, shkruan Gazeta Express.

Duka ka treguar se ka biseduar me trajnerë të huaj dhe vendorë për stolin e Shqipërisë.

“Nuk mund ta mohoj se kam biseduar me trajnerë shqiptarë dhe të huaj dhe gjatë këtyre ditëve do të konkretizojmë ndonjë gjë më shumë. Reja është trajner i mirë, ashtu si të tjerët, por nuk kam bërë asnjë bisedë konkrete. Nuk duhet të nxitohemi. Kemi kohë për të vendosur, brenda muajit prill dhe të përgatitemi për ndeshjet e qershorit. Ajo që i jep më shumë avantazh një kandidati shqiptar është fakti që mund të njohë më mirë mentalitetin dhe mënyrën e komunikimit dhe ambientin. Kur themi trajner shqiptar që jetojnë në Shqipëri dhe jashtë saj, ekzistojnë mundësitë pse jo”, deklaroi Duka për TV A2.

Kur është pyetur për emrat e Besnik Hasit apo Arjan Peços, Duka është përgjigjur. “Rrotull këtyre emrave, pasi nuk ka të tjerë. Pse jo dhe Ervin Bulku, pse jo dhe Sulejman Mema. Nuk e di nëse ishte kundërshtari modest, por përgatitja në një kohë të shkurtër nga Bulku dhe Mema, për mua ka qenë maksimal”, ka përfunduar Duka.