Tahiri fiton betejën gjyqësore ndaj Haxhiut për rastin e noterëve

Ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka fituar betejën gjyqesore ndaj ministres aktuale të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në lidhje me rastin e noterëve.

Departamenti për Çështje Administrative, ka anuluar vendimin e Ministrisë së Drejtësisë (MD), me të cilin ishte anuluar konkursi për noterë.

Kjo pasi që Gjykata ka aprovuar padinë e 44 kandidatëve për noterë të ushtruar ndaj këtij vendimi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Noterët ishin emëruar në periudhën sa Ministër ishte Abelard Tahiri, ndërkaq, duke synuar se ky proces ka pasur parregullsi, kishte ngritur padi Ministria e Drejtësisë aktuale me në krye Albulena Haxhiun.

Por, Gjykata ka vërtetuar provimin e noterisë me arsyetimin se nuk ka gjetur prova se e paditura, qoftë në procedurë administrative ose edhe para gjykatës ka vërtetuar se Komisioni për Dhënien e Provimit për Noterinë ka cenuar parimin e ligjshmërisë.

“Kjo për faktin se me asnjë provë nuk është vërtetuar se ky komision ka tejkaluar kufijtë e përcaktuar me ligjin, nuk është vërtetuar se me zgjedhjen e këtij komisioni nuk është arritur qëllimi sipas ligjit dhe në përputhje me parimin e proporcionalitetit dhe se zgjedhja e tij nuk është vërtetuar se ka qenë në kundërshtim më normat e gjithë pranuara të shkencës apo teknikës dhe nuk ka shkelur parimet themelore të drejtësisë apo arsyes njerëzore”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Madje, sipas vendimit të Gjykaës, thuhet se nga vendimi i kontestuar me padi dhe në kuptim të dispozitave të lartcekura, del se janë cenuar të drejtat ligjore të paditësve.

“E paditura ka dështuar të provojë faktin se veprimi administrativ me aktin administrativ të kontestuar me padi, siç përcaktohet në dispozitat e lartcekura, ka qenë i domosdoshëm dhe i përshtatshëm për të arritur qëllimin e përcaktuar ne ligj”, thuhet në këtë aktgjykim.

Tutje, sipas këtij aktgjykimi e paditura në vendimin kontestues ka theksuar se Komisioni ka bërë shkelje flagrante të parimeve të përcaktuara në Udhëzimin Administrativ, për mënyrën e dhënies dhe programin e provimit të noterisë, pasi që nga ky proces ka rezultuar që shumica e kandidatëve të cilët e kanë dhënë provimin me shkrim dhe me gojë kanë qenë familjarë të Komisionit, zyrtarë të partive në pushtet apo familjarë të partive në pushtet si dhe familjarë të ngushtë të zyrtarëve që punojnë në sistemin e drejtësisë.

“Një konstatim i tillë i përgjithësuar dhe i paprovuar, për gjykatën konsiderohet i papranueshëm, për faktin se ky konstatim nuk është vërtetuar me ndonjë provë e cila do ta plotësonte këtë arsyetim”, thuhet në aktgjykim.