DW: Bashkimi Evropian dëshiron sukses të shpejtë për çështjen e Kosovës

Çështja e Kosovës po përcillet me aktivitet të ngjeshur diplomatik të Perëndimit. Beogradi edhe një herë priti Miroslav Lajçakun, përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Mediat beogradase i kushtuan shumë rëndësi edhe faktit që Lajçak këtë herë ka ardhur me, siç i cilësojnë mediat,” forcat speciale” nga Franca dhe Gjermania, Emanuel Bono dhe Jens Pletner.

Futja e “forcave speciale” në lojë lidhet edhe me letrën dërguar presidentit serb Aleksandar Vuçiq nga presidenti francez Macron dhe kancelari gjerman Scholz, në të cilën e ftojnë “të marrë vendime të vështira për Kosovën”. Kjo shihet edhe si një fazë e re në dialogun ndërmjet palës serbe dhe asaj shqiptare, shkruan DW në gjuhën serbe.

Vuçiq: Nuk ka njohje të Kosovës

Në prag të vizitës së Lajçakut, presidenti i Serbisë komentoi deklaratat nga Prishtina për “qeverisjen e atij territori” dhe theksoi se i “paralajmëroi” përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare dhe negociatorët duke i pyetur se “me çfarë do të vini në Beograd, “sepse nuk do të tolerojmë më”.

Presidenti i Serbisë ka njoftuar edhe në llogarinë e tij në Instagram para takimit me përfaqësuesit ndërkombëtarë “se nuk do të ketë njohje të Kosovës. Gjithmonë i gatshëm për zgjidhje kompromisi, në përputhje me Kushtetutën e Serbisë dhe rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Nuk dorëzohemi! Rroftë Serbia”, ka thënë Vuçiq.

Deklarata pas takimit nuk kishte, por Miroslav Lajçak shkroi në Twitter pas takimit me Vuçiqin.

Ai tha se “ka pasur diskutime të rëndësishme të detajuara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me qëllim të gjetjes së opsioneve për përparim në dialog. Procesi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim”, shkroi Lajçak.

Sukses i shpejtë i politikës së jashtme

Për Dejan Bursaq, nga Instituti për Studime Politike, frekuenca e shtuar e vizitave në Beograd dhe Prishtinë së fundmi do të thotë se BE-ja dëshiron të arrijë shpejt disa suksese në politikën e jashtme:

“Kjo po ndodh në një situatë ku fuqia evropiane është në pikëpyetje dhe kur për shkak të krizës së Ukrainës, Evropa është një lloj dëmi kolateral i atij konflikti dhe ekziston një besim i fortë se ajo nuk merr shumë vendime. Në këtë kuptim, Evropa do të përfitonte nga njëfarë suksesi në negociatat mes Beogradit dhe Prishtinës”, tha Bursaq për DW.

Jemi të vetëdijshëm se Serbia ka presion që të harmonizojë politikën e saj të jashtme me BE-në, vijon ai për DW në gjuhën serbe dhe shton se “kjo do të nënkuptonte vendosjen e disa llojeve të sanksioneve kundër Rusisë”.

Lajçak përpos Beogradit dje qëndroi edhe në Prishtinë ku bashkë me dy diplomatët evropianë takuan kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, takim ky nga i cili nuk u dhanë shumë detaje.