Dy ditë para zgjedhjeve në PDK, jep dorëheqje kryetari i degës në Gjilan

Qemajl Mustafa, ish-kryetar i Gjilanit nga radhët e PDK-së dhe kryetar i degës së kësaj partie në këtë komunë ka dhënë dorëheqje nga partia vetëm dy ditë para Konventës Zgjedhore të PDK-së.

Dorëheqjen e konfirmoi vet Mustafa duke dhënë edhe disa detaje rreth këtij vendimi.

Ai ka thënë se dorëheqja e tij erdhi si shenjë respekti ndaj strukturës e sidomos ndaj anëtarësisë së PDK-së në Gjilan.

Tutje në përgjigjen e tij ai shton se ishte kthyer në këtë subjekt për të kontribuar, por sipas tij ai nuk doli të jetë i duhuri për pjesëmarrësit e degës ku ai drejtonte.

”U pa që unë nuk isha profili që mundet me e ndreqë atë degë. Qendra ishte shume e pakujdesshme ndaj nesh dhe unë e lirova hapësirën për gjeneratën e mesme që është e mirë nëse duan me u bashku. Hoqa dorë edhe për hir të respektit ndaj fitoreve tona të mira në të kaluarën”, tha ai për Klan Kosova.

”Unë thjesht shkova për t’ju ndihmuar dhe ta rikthejë atë degë por në ndërkohë u pa që as nuk ka interesim qendra e as dega për ta rregulluar punën me Gjilanin dhe me Anamoravën Besoj shumë në gjeneratën e mesme dhe në rininë e Gjilanit e të PDK-së. Ata e rregullojnë trendin në Gjilan patjetër”, shtoi ai.