Dy fëmijë bien në një pus në fshatin Milloshevë, njëri ndërroi jetë, tjetri po kërkohet

Një fëmijë ka ndërruar jetë në fshatin Milloshevë të Komunës së Obiliqit, pasi i njëjti ka rënë në një pus me ujë teksa një tjetër po kërkohet nga ekipet e kërkim-shpëtimit.

Kjo është konfirmuar për Indeksonline nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

Hoxha tha se rreth orës 15:00 Policia ka pranuar informatën se në fshatin Milloshevë dyshohet se dy fëmijë kanë rënë në pus, ku më pas ekipi mjekësor ka konstatur edhe vdekjen e njërit prej tyre.

“Me datë 16.06.2020 rreth orës 15:00, Policia ka pranuar informatën se në fshatin Milloshevë dyshohet se dy fëmijë kanë rënë në një pus. Policia me njësitet e saj ka dalë në vendin e ngjarjes, si dhe ka njoftuar ekipet e emergjencës. Ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e një femiu rreth 10/12 vjeçar i nxjerrur nga pusi”, ka deklaruar Hoxha.

Gjithashtu ai deklaroi se janë njoftuar ekipet e kërkim-shpëtimit për nxjerrjen edhe të një fëmiu tjetër i cili dyshohet të ketë rënë në këtë pus me ujë.