Dyshohet se 45-vjeçari ka vdekur nga gripi i derrit

Një 46-vjeçar nga një fshat i Skraparit, i sjellë si rast urgjent nga Berati në Tiranë, ka ndërruar jetë në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, (Sanatoriumi) pas problemeve respiratorë, ndërsa dyshimet e para janë se mund të ishte i prekur nga virusi i tipit A (H1N1) njohur si gripi i derrit.

Vjetar Alushi kishte shkuar në urgjencën e spitalit të Beratit në orët e para të mëngjesit të sotëm (03:30), ku sipas mjekëve atje, ai kishte simptoma gripale, temperaturë, kollë, dhimbje koke, probleme të rënda me frymëmarrjen dhe rrufë, arsye për të cilën ata e nisën në Tiranë.

Dyshimet e para të bluzave të bardha në Berat, ishin se 46-vjeçari mund të kishte gripin e derrit A (H1N1), apo i infektuar nga koronavirusi. Por në kushtet kur nuk mund ta përcaktonin, rreth orës 10:00 të mëngjesit e kanë transportuar drejt Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi” për trajtim të specializuar. Aty, 46-vjeçarit iu mor mostra për të kryer në laboratorin e ISHP-së analizën e koronavirusit, për të hequr çdo dyshim.

Pas lajmit për vdekjen e tij në spitalin e Sanatoriumit, Shqiptarja.com u interesua pranë Institutit të Shëndetit Publik, nga ku mësohet se mostrat e 46-vjeçarit janë marrë pasdite, por analizat nuk kanë ardhur akoma.

Në Urgjencën e Spitalit të Beratit, sipas mjekut Xhezair Guri në 24 orët e fundit ka pasur 120 vizita. Sipas mjekut, rastet që paraqiten të rënda kalojnë në konsultë me mjekët specialistë infeksionistë. Në fazën kur Ministria e Shëndetësisë ka marrë masat parandaluese për koronavirusin, edhe në spitalin e Beratit është shtuar një mjek infeksionist në gatishmëri për të përballuar rastet që paraqiten me viroza.

Shqiptarja.com