E akuzoi se ka lidhje me LDK-në, Lushtaku: Donika Gërvalla po mundohet të bëhet e rëndësishme me emër timin

Kryetarja e Listës “Guxo”, njëherit ministre e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schëarz ka hedhur akuza ndaj Sami Lushtaku dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Gërvalla ka deklaruar se LDK lidhjen më të madhe e kanë me Sami Lushtakut, njërit prej figurave kryesore të Partisë Demokratike të Kosovës.

“E keni pa që ata edhe emrin nuk duan ta kenë më Lidhja Demokratike e Kosovës. Duan ta kenë emrin Rruga e re, Lidhja e ku ta di unë. Por lidhjen më të madhe e kanë me Sami Lushtakun”, ka thënë ajo.

Pikërisht për këtë akuzë, Gërvallës i është kundërpërgjigjur Sami Lushtaku.

Ai në një prononcim për Front Online i ka mohuar pretendimet e Gërvallës kinse se ka lidhje me LDK-në.

Lushtaku ka thënë që përveçse miq, nuk ka lidhje të tjera me LDK-në.

“Unë kam miq dhe shokë në të gjitha partitë politike. Me të kallxu drejtë me LDK-në kurrgjë nuk më lidh, nuk kam asnjë lidhje të kësaj natyre çfarë paska thënë Gërvalla, asnjë lidhje hiq, vetëm shokë. Ne në Kosovë jemi këtu secili e njeh secilin, ndonjë lidhje të veçantë nuk kam”, u shpreh ai për Front Online.

Sipas Lushtakut, një gjë të tillë, Gërvalla e ka thënë për t’u bërë e rëndësishme me emër të tij.

“Kështu edhe një pjesë e politikanëve janë bërë të rëndësishëm me emër timin”, u shpreh ai për Front Online.