“E bëra”, çfarë tha në gjykatë autori i vrasjes së 2 kushërinjve

Ka dalë para trupës gjykuese dhe ka pranuar autorësinë e vrasjes së dyfishtë dy ditë më parë.

Martin Skëndaj, 22 vjeçar, gardian në burgun e Fierit është njohur me masën e sigurisë të “arrestit me burg”, për vrasjen e dy të kushërinjve, Elis Kapaj dhe Manol Rrapaj, 22 dhe 26 vjeç, bashkëfshatarë të tij, të cilët i qëlloi me armën e shërbimit në poliklinikën e Patosit, ku kishte shkuar të vizitonte krahun.

Masën e sigurisë e vendosi gjyqtarja Adelina Zarka ndërsa prokurore ishte Çlirim Sina, shkruan “Report”.

Skëndaj ka hyrë në gjykatë duke qarë.

Me kokën poshtë në seancë, mësohet se ai ka thënë vetëm “e bëra” e më pas nuk ka folur më.

Ngjarja e rëndë e ndodhur dy ditë më parë, dyshohet të ketë shkak një marrëdhënie dashuri të cilën gardiani nuk e pranonte.

Njëri nga viktimat, Elis Kapaj nga Kuqari i njëjti fshat me Skëndajn, ishte i lidhur me motrën e rojes së burgut, e divorcuar dhe më fëmijë. Konflikti mes tyre kishte nisur një vit më parë, nga momenti i divorcit të motrës, por mesa duket lidhja që gardiani kundërshtonte, ende nuk kishte përfunduar.

Sherrin e kanë nisur dy kushërinjtë, sipas hetimeve paraprake, të cilët dyshohet ta kenë dhunuar me leva e sende të forta kur e kanë parë Skëndajn në Poliklinikë.

Pas vizitës nga mjekët, Martin Skëndaj ka dalë, por sërish kushërinjtë nga fshati Kuqari dhe Kashisht, e kanë qëlluar, çka ka bërë që gardiani i burgut të Fierit të nxjerrë armën e shërbimit dhe t’i qëllojë. Njëri gjeti vdekjen në vend, ndërsa tjetri ndërroi jetë në spitalin e Fierit.