E dhimbshme: Vdes në QKUK 22-vjeçarja që u godit nga vetura në rrugën Prishtinë – Ferizaj

Jo rrallëherë këmbësorët e pësojnë për shkak të pakujdesisë së shoferëve në trafik. Të tilla raste shpesh përfundojnë me lëndime të rënda, por edhe me fatalitet. Kështu ka ndodhur edhe me një aksident trafiku që u shkaktua javën e kaluar, në rrugën Prishtinë – Ferizaj, ku një veturë kishte goditur një 22-vjeçare. Vajza mori lëndime të ënda por përkundër trajtimit ka humbur jetën, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu kanë bërë të ditur burimet nga Qendra Klinike Universitare të Kosovës, që njoftuan se viktima ka ndërruar jetë sot, përkundër trajtimit mjekësor që mori në repartin intensiv.

Aksidenti kishte ndodhur në orët e mëngjesit të 22 dhjetorit, ku këmbësorja u përplas nga automjeti dhe pësoi lëndime të rënda, për çka ishte dërguar në QKUK, por fatkeqësisht nuk arriti t’u bëjë ballë plagëve dhe vdiq.

Pasi Policia mori informacionin nga spitali, njësitë përkatëse dolën në vendin e ngjarjes, teksa me urdhër të Prokurorit të Shtetit trupi i pajetë është dërguar në IML që t’i bëhet obduksioni.