Përfundon “dëshmia” e Thaçit në Komision për deportimin e shtetesve turq pa asnjë rezultat

Është mbyllur mbledhja e Komisionit Hetimor për deportimin e 6 shtetasve turq nga Kosova, pasi anëtarët e komisionit deklaruan se nuk kishte gatishmëri të presidentit për të dëshmuar.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka insistuar që të jepet interpretimi ligjor lidhur me angazhimin e ekspertit ndërkombëtarë.

Ai ka thënë që nuk mund të pranojë që deklarata e tij të analizohet nga një ekspert i cili është përzgjedhur nga një deputet i opozitës.

“Mua po më shqetëson qe ju jeni të shqetësuar që unë jam këtu. Unë përgjigjem kur kam bazë ligjore për tu përgjigjur sepse unë kam konstatuar se ju keni shkel ligjin kur keni angazhuar një ndërkombëtarë”

Ai ka insistuar që të bëhet interpretimi ligjor lidhur me angazhimin e një eksperti ndërkombëtarë.

“Unë kërkoj ekspertizë ligjore nga zyra ligjore. Ti duhet me tregu bazën ligjore për angazhimin e ekspertit. Unë nuk jap intervistë me analizu një ekspert që është i angazhuar nga një deputet”, ka thënë ai.

Deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj, ka propozuar që mbledhja të mbyllet për shkak se sipas tij komisioni nuk ka mundësi që ta realizoj kërkesën e presidentit brenda ditës.

“Ajo që kërkoj presidenti është e parealizueshme brenda ditës. Keni bërë një shfaqje fantastike për popullin e Kosovës tash e 4 orë, me sa duket nuk ka kushte që të zhvillohet kjo mbledhje. Unë sugjeroj që të mbyllet kjo mbledhje”, ka thënë ai.

Deputeti, Dritoni Selmanaj, ka thënë se i gjithë debati i presidentit ishte vetëm një lojë e tij për të mos dëshmuar.

“Unë kam një konstatim për mosgatishmëri për dëshmi nga presidenti. Ne jemi tu fol tash për një periudhë të kaluar. Krejt kjo lojë e maskaradë është për mos me dëshmu. Neve nuk na duhet dëshmia e presidentit sepse e kuptuam. Baza ligjore është shumë e saktë, kontestoje në gjykatë por kryeje dëshminë këtu. Ne po e fyejmë inteligjencën e njerëzve po i fyejmë ato familje”, ka thënë ai.

Deputeti, Sami Kurteshi ka thënë se presidenti nuk ka qenë i gatshëm të përgjigjet në pyetjet e Komisionit.

“Nga krejt kjo që u pa po konstatohet që nuk është i gatshëm me dëshmu. Ardhja këtu është presioni i madh i ambasadave. Presidenti me gjitha lojërat dhe manipulimet që i bënë e që janë krejt banale, nuk është i gatshëm që të dëshmojë e të përgjigjet në asnjë pyetje por është marrë me fryje personale.

Ndërkaq deputeti, Hajdar Beqaj, ka thënë se mbledhja u përdor për marketing politik.

“Presidenti e pat një kërkesë dhe ne nuk patëm aftësi menaxheriale me mundësu. Kjo mbledhje u bë sot për marketing politik. Dritoni është kandidat i LDK në Prizren por kjo nuk të hyn në punë Driton se LDK të merr ende si OJQ. Është mirë që të plotësohet kërkesa e presidentit. Komisioni jon e ka humb kredibilitetin. Neve na ka emëruar parlamenti e jo prokuroria”, ka shtuar ai.