E pashembullt: Mujaj që sot aderoi në PDK, para dy javësh i ishte bashkuar AAK-së (foto)

Profesori universitar Hasan Mujaj, i cili para dy javësh ishte prezantuar si aderim në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, sot ka aderuar në Partinë Demokratike të Kosovës.

Më 21 gusht, Mujaj bashkë me disa të tjerë, ishin prezantuar si aderime nga anëtari i Kryesisë së AAK-së dhe kryetari i degës së kësaj partie në Pejë, Ali Berisha.

Ish-rektori i Universitetit të Gjakovës i bashkohet PDK-së

Por, sot kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, e ka prezantuar profesorin Mujaj si aderim në partinë e tij.

Në një deklarim për KTV-në, Hasan Mujaj ka mohuar të ketë aderuar në AAK paraprakisht, duke thënë se fotoja e publikuar nga Ali Berisha është bërë pa lejen e tij.

“Jo, asnjëherë nuk kam qenë anëtar i AAK-së e asnjë partie tjetër. E kam parë edhe unë fotografinë. Nuk kam aderuar në Aleancë, vetëm kemi biseduar. Zotëri Berisha e ka publikuar atë pa pëlqimin tim”, ka thënë Mujaj.

Më pas ai ka pohuar se i është bashkuar PDK-së, pasi, siç është shprehur, e mbështetë “programin e kësaj partie për zhvillimin ekonomik dhe mënjanimin e dukurive negative”.

KTV-ja ka provuar të marrë një qëndrim lidhur me këtë edhe nga Ali Berisha, por i njëjti nuk është lajmëruar në telefon.