E përkujton i biri i Artim Jasharit babanë e vrarë para 25 vjetëve – Jemi vazhdimësi e familjes legjendare të Adem Jasharit . Gjithmonë do t’i dalim krah vendit tonë!

Në 25 vjetorin e rënies heroike të dëshmorit Artim Jashari me këto fjalë e përkujton babin e tij, djali i tij i vetëm Endriti:

“Karenaria e mposhtë dhimbjen! Jemi vazhdimësi e familjes legjendare të Adem Jasharit. Gjithmonë do t’i dalim në krah vendit tonë!

Baba erdha dhe u përkula edhe sot tek varri yt, lotët më rrjedhnin, doja të bisedoja pak me ty…

Sa shumë mallë kemi e sa thellë e ndiejmë mungesën tënde. Sa e vështirë ka qenë jeta pa ty. Me nënën atë ditë para 25 vjetëve, t’a dhamë lamturmirën duke mos të të harruar kurrë.

Sa herë kam pasë nevojë për ty, të të përqafoj, të të tregoj për arritjet e mija, të kërkoj ndojnë këshillë nga ti… por ti nuk ishe.

Mundohem t’a mendoj fytyrën tënde. Edhe pse fizikisht nuk ishe me ne, unë jam rritur me fjalët e nënës, duke më treguar për besnikërinë dhe trimërinë që kishe. Ajo ishte gjithmonë pranë meje dhe e mbajti amaneti që i’a kishe lënë atë ditë kur dole nga dera e shtëpisë, sikur t’a kishe pas ditur që nuk do të ktheheshe më.

Do t’a ruaj kujtimin për ty e fëmijët e mij, do t’a trashëgojnë emrin tënd brez pas brezi! Gjithmonë do të jesh në mendjet dhe zemrat tona! Lavdi!” – transmeton Radio Ylberi.